English

Motra e Ermelës së Big Brother: Dua avokat, por s’kam para

Tiranë, 13 Korrik 2011 NOA - Motra e fitueses së Big Brother 2011 kërkon avokat nga shteti pasi thotë se nuk ka para të paguajë vetë.

Gerta Mezuraj, motra e Ermelës, ka kërkuar sot para trupit gjykues, një avokat nga shteti pasi siç tha ajo vetë nuk mund të marrë avokat tjetër për shkak se nuk ka para ta paguajë.

Kërkesa është bërë gjatë seancës së së zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Mezuraj akuzohet se në bashkëpunim me Rodrigues Malaj ka vjedhur shumën prej 67 mijë eurosh në agjencinë turistike R&LO Travel në dhjetot të vitit 2010 tek rruga “Avdyl Frashëri” në Tiranë.

Ndërkohë dje nuk ka qenë i pranishëm në seancë as avokati i të pandehurit Malaj, ndaj dhe gjykata vendosi shtyrjen e seancës për në datën 27 korrik ora 12:00.

Vendimi ”...Nga materiali procedues i depozituar nga prokuroria, rezulton se më datë 14 dhjetor 2010 rreth orës 15:10 minuta, shtetasja M.M., punonjëse e agjencisë turistike "AR&LO" që ndodhet në rrugën "Abdyl Frashëri" ka dalë nga agjencia me një shumë të hollash prej 67500 euro. Sapo ka dalë në rrugë, një djalë rreth 20-25 vjeç, pasi e ka qëlluar me shqelm në kokë i ka marr çantën me të holla dhe më pas është larguar. Sipas akteve të administruar në dosje, të sjella nga policia dhe prokuroria, dyshohet se personi që e ka qëlluar punonjësen e agjencisë M.M., ka qenë shtetasi Rodrik Malaj, së bashku me shtetasen Gerta Mezuraj, kjo e fundit punonjëse pranë kësaj agjencie turistike. Të dy këta të dyshuar, Malaj dhe Mezuraj, në bashkëpunim me një person ende të paidentifikuar, por me emrin "Klajdi" kanë organizuar vjedhjen e monedhave. Ndodhur në këto kushte, oficerë të policisë gjyqësore në Tiranë, kanë kryer arrestimin në flagrancë të personit nën hetim Gerta Mezuraj, si dhe kanë kryer veprime të tjera procedurale. Nisur nga rrezikshmëria e veprës penale dhe e personit, organi i prokurorisë ka kërkuar vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin si masë sigurimi personal atë të "arrestit me burg". Personi nën hetim, Gerta Mezuraj, dhe mbrojtësi i saj ligjor, avokati Ergys Hysi, u shprehen se ishin dakord me vlerësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin si masë sigurimi të një mase më të butë... Në rastin konkret, Gjykata vëren se ekziston dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim Gerta Mezuraj mund të ketë kryer në bashkëpunim me persona të tjerë veprën penale të "vjedhjes"... Kjo vepër, sipas Kodit Penal, parashikohet nga ligji si vepër me rrezikshmëri shoqërore relativisht të lartë dhe që dënohen vetëm me burgim. Dyshohet se vepra është kryer në bashkëpunim, rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra dhe fakti që e dyshuara ka qenë e punësuar pranë këtij subjekti të dëmtuar, pasoja e ardhur, e cila është vjedhja e një shume të konsiderueshme të hollash dhe në këto kushte Gjykata çmon se masa e sigurimit personal e kërkuar nga organi i akuzës është në përshtatje me rrezikshmërinë shoqërore të të dyshuarës Gerta Mezuraj...", - thuhet ndër të tjera në vendimin e gjyqtares së çështjes, Anila Kristani, më 17 dhjetor 2010.

e.t/NOA

KOMENTE