Marconi, 13 korrik, NOA - Një ndryshim emri, në pasaportën shqiptare, për të shmangur kontrollet kufitare, u ka mjaftuar policëve italianë që të zbulojnë dy emigrantë shqiptarë të kërkuar, që donin t’ua hidhnin për të shkuar në Itali gjoja si turistë.
Ngjarja konfirmohet nga mediat italiane, sipas të cilave, për të zbuluar këtë mashtrim kanë qenë agjentët e Patrullës Kufitare në detyrë, në aeroportin e Marconit, të cilët brenda një jave kanë arritur të zbulojnë gjashtë hyrje ilegale të shqiptarëve, duke çuar në arrestimin e dy prej tyre dhe refuzimin e katër të tjerëve.
Mësohet se në pranga kanë rënë Dorian Gjergji, 30 vjeç dhe Elton Marcaj, 34 vjeç.
Për të parin, ishte lëshuar një urdhër-arresti nga gjykata e Sienës, për shpërndarje droge; ndërsa i dyti u ndëshkua nga një urdhër me burgim për vjedhje dhe përdorim të akteve të rreme, lëshuar nga Gjykata e Apelit të Firences.
Siç u përpoq policia që ta rindërtonte historinë e tyre, i ndaluari i parë mund të ketë përfituar për të ndryshuar emrin, nga pagëzimi i tij si i krishterë.
Policëve në fakt, u ra në sy Dorian Gjergji, pasi ndërsa i kontrollonin dokumentet, ai fliste perfekt italisht, edhe pse vulat e hyrjes në pasaportë për në vendin fqinj, ishin shumë të pakta.
Mjaftoi vetëm një kontroll i bazës së të dhënave, e cila ka zbuluar se i korrespondonte vetëm mbiemri, pasi emrin e parë e kishte ndërruar me Dritan, me të cilin në fakt, rezultonte që të ishte i kërkuar nga drejtësia italiane.
E njëjta gjë ndodhi edhe me 34-vjeçarin e ndaluar, Elton Marcaj, i cili korrespondonte të kishte në fakt emrin Spiro Marcaj.
Patrulla kufitare e ka raportuar këtë fenomen në Ministrinë e Brendshme Italiane, duke bërë thirrje për të treguar më shumë kujdes ndaj shqiptarëve që tentojnë të futen në shtetin italian, me emra të falsifikuar.
n.e/NOA
.