Tiranë, 13 korrik 2011, NOA – Një ditë pas dorëzimit të padisë së demokratëve me objekt konstituimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe shpërndarjen e mandateve të këshilltarëve në bazë të tabelave përmbledhëse të nxjerra nga KQZ, Kolegji Zgjedhor pritet të hedhë sot shortin për relatorin e çështjes dhe të caktojë datën kur do të marrë në shqyrtim kërkesën e Partisë Demokratike.
PD i kërkon trupës së gjyqtarëve të Apelit të përcaktojnë mandatet për Këshillin bashkiak të Tiranës mbi bazën e tabelave të grupeve të numërimit për secilën qendër votimi dhe të urdhërojë KQZ-në t’i miratojë me shumicë të thjeshtë.
Demokratët iu drejtuan Kolegjit Zgjedhor për shkak se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mundi të arrijë kuorumin e cilësuar të votave, 5 me 2, për të konstituuar Këshillin e ri bashkiak të Tiranës dhe miratuar emrat e 55 mandateve të reja.
Gjatë mbledhjes së të hënës, në 11 korrik, me 4 vota pro dhe 2 kundër të opozitës, KQZ rrëzoi në parim tabelën përmbledhëse për shpërndarjen e mandateve në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Përfaqësuesit e opozitës në KQZ kundërshtuan aktin, duke theksuar se në tabelën përmbledhëse nuk ka vullnet zgjedhësish.
Për miratimin e mandateve të këshilltarëve të bashkisë së Tiranës që dolën nga zgjedhjet administrative të 8 majit kërkohet votim me shumicë të cilësuar, pra 5 me 2.
Sipas Kodit Zgjedhor instanca e vetme që i jep zgjidhje problemit është Kolegji Zgjedhor.
Në zgjedhjet administrative të 8 majit, koalicioni qeveritar “Aleanca për Qytetarin” siguroi mazhorancën e vendeve në Këshillin Bashkiak të Tiranës kundrejt koalicionit opozitar “Aleanca për të Ardhmen”.
“Aleanca për Qytetarin” fitoi 28 këshilltarë, ndërkohë që “Aleanca për të Ardhmen” 27 këshilltarë.
Përkatësisht brenda koalicionit “Aleanca për Qytetarin” ka fituar 19 këshilltarë; 5 këshilltarë LSI, 2 këshilltarë PDIU; 1 këshilltar PR dhe 1 PLL.
Ndërsa në koalicionin “Aleanca për të Ardhmen” 25 këshilltarë i takojnë PS-së; 1 këshilltar PDS-së dhe 1 këshilltar PSV 91.
Me padinë për mandatet e Këshillit Bashkiak, Partia Demokratike regjistroi padinë e dytë të paraqitur në Kolegj sa i takon zgjedhjeve vendore në Tiranë, pasi e para ishte ajo për këshillat e minibashkive, të cilat nuk u votuan nga opozita në KQZ.
mit/NOA