English

Pavarësia nga Shqipëria

Nga Albin Kurti

Më 13 gusht 2009, Kryeministri Hashim Thaçi është ankuar te zëvendësambasadori amerikan Michael McMurphy që kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha po përzihet në politikën e Kosovës. Kështu thuhet në një kabllo diplomatike ende të pabotuar të dosjes së Wikileaks, sipas gazetës Koha Ditore. Nuk do mend që shumë njerëzve kjo mund t’iu duket e pritshme dhe normale duke e pasur parasysh kryeministrin Thaçi, etjen e tij për pushtet dhe mënyrën e zakonshme të politikëbërjes ditore në Kosovë. Thaçi është frikësuar nga ndikimi i Berishës në Kosovë dhe përkrahja që Berisha mund t’ua bëjë figurave të tjera politike e partive të tjera prej asaj të Thaçit. Me ndihmën e zyrtarëve amerikanëve ai ka besuar që do ta mbajë sigurt pushtetin për vete duke i zmbrapsur ata që mund ta cenojnë e rrezikojnë.

Mirëpo, kryeministri Thaçi nuk është kufizuar vetëm te sulmi mbi kryeministrin e Shqipërisë Berisha të cilin ai e sheh si politikan rival që mund t’ia prishë llogaritë këtij. Ai i kishte thënë zyrtarit amerikan që përzierja nga Shqipëria në politikën kosovare paraqiste kërcënim për Kosovën dhe kishte kërkuar ndërhyrje amerikane te Berisha që ta kundërshtojnë një përfshirje të tillë, duke theksuar se Kosova është një shtet i pavarur, dhe jo krahinë e Shqipërisë. Thaçi po ashtu ka kërkuar nga Ambasada e ShBA-ve në Prishtinë që përmes Ambasadës së ShBA-ve në Tiranë të bëjnë trysni mbi Berishën dhe të kërkojnë nga ai që të përmbahet nga deklarimet apo veprimet që ngritin frikë në rajon nga pan-shqiptarizmi. Së këndejmi del që Thaçi nuk e ka problem vetëm përzierjen e kryeministrit të Shqipërisë në politikën kosovare për shkak se ky kryeministër rastis të jetë politikani Sali Berisha. Thaçi nuk e do përzierjen e kryeministrit Berisha edhe për shkak se Berisha është pikërisht kryeministër i Shqipërisë dhe jo i ndonjë vendi tjetër.

Merreni me mend, kryeministri Thaçi nuk ankohet dhe nuk kërkon ndihmën e amerikanëve për përzierjen e Serbisë në Kosovë por për përzierjen e Shqipërisë! Fakti që Serbia e kontrollon çerekun e territorit të Kosovës me strukturat e saj ilegale nuk përbën shqetësim për kryeministrin Thaçi. Aq më pak deklaratat e përsëritura të Serbisë për Kosovën si krahinë e Serbisë. Thaçi ka hall veçse deklaratat dhe veprimet e kryeministrit Berisha të cilat, siç është shprehur ai, ngritin frikë në rajon nga pan-shqiptarizmi. Këso deklaratash që jemi mësuar t’i dëgjojmë nga zyrtarët e ndryshëm të Serbisë të cilët i karakterizon shovinizmi ndaj kombit shqiptar na qenkan edhe vetë fjalët e kryeministrit Thaçi drejtuar zyrtarëve amerikanë.

Lehtësia me të cilën kryeministri Thaçi i pranoi bisedimet pa parime me Serbinë e pa kushte për Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës, bëhet edhe më e shpjegueshme pas zbulimit të këtij qëndrimi të tij kundër Shqipërisë. Ngjashëm, tash kemi fituar shpjegime shtesë për një sërë prapësish të kryeministrit Thaçi prej imponimit të flamurit shkombëtarizues për shtetin e pavarur të Kosovës e deri te mos imponomi i reciprocitetit me Serbinë në të drejta dhe ekonomi. Thjesht, kryeministri Thaçi pavarësinë e shpallur të Kosovës e sheh shumë më tepër si pavarësi ndaj Shqipërisë sesa si pavarësi ndaj Serbisë. Gjersa presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova, thoshte që Republika e pavarur e Kosovës duhet të jetë e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë, kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, disi po aspiron që ta mbyllë Kosovën ndaj Shqipërisë e ta lë atë të hapur ndaj Serbisë.

Duket që kryeministri Thaçi dëshiron të harrohet fakti që pavarësia e Kosovës, edhe kështu siç është, nuk do të mund të arrihej duke qenë Kosova e pavarur nga Shqipëria e duke vepruar pavarësisht asaj. Vetëm duke iu falenderuar ‘përzierjes’ së Shqipërisë në Kosovë, si frymëzim e ndihmë në të gjitha fushat, prej arsimit e deri te armatimi për UÇK-në, ne jemi këtu ku jemi sot. Pa ‘përzierjen’ e Shqipërisë në Kosovë, shqiptarët do ta kishin fatin shumëfish më të keq edhe se të boshnjakëve. Pavarësia e Kosovës do të mund të quhej me të drejtë se është pavarësi nga Shqipëria vetëm në kuptimin që ajo na ka ardhur edhe prej kontributit nga Shqipëria.

Në këtë takim me z.McMurphy, kryeministri Thaçi gjithashtu qenka zotuar se nuk do të marrë asnjë vendim të rëndësishëm politik pa konsultime paraprake me Ambasadën e ShBA-ve. Këtu nuk do të ndalemi te dukuria që kryeministri Thaçi me nënshtrimin e vet paraprak iu bën trysni ndërkombëtarëve që ta nënshtrojnë. Pra, nuk është interesimi i këtij shkrimi të trajtojë nënshtrimin e këtillë që para se të jetë trysni mbi të nënshtruarin e mëpastajmë është trysni mbi nënshtruesin potencial në kuadër të një loje perverse ku mazohisti e prodhon sadistin.

Mirëpo, teksa kryeministri Thaçi u thotë zyrtarëve amerikanë që nuk do ta marrë asnjë vendim të rëndësishëm politik pa konsultime paraprake me Ambasadën e ShBA-ve, atij duhet t’i përgjigjemi me pyetjen se ku ka vendim më të rëndësishëm sesa ta mbash këtë qëndrim kundër Shqipërisë në emër të Kosovës?! Qëndrimi i këtillë i kryeministrit Thaçi tashmë paraqet vendimin e tij më të rëndësishëm, saktësisht më të rëndësishmin, para zyrtarëve amerikanë. Kryeministri Thaçi, një vendim më të rëndësishëm se ky, as që mund të imagjinojë se lëre më ta marrë.

Wikileaks e dëshmoi që para se ndonjë politikan a diplomat ndërkombëtar të deklarohet kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë e kundër bashkimit kombëtar të shqiptarëve në emër të frikës që mund të gjenerohet në rajon, këtë gjë e bëjnë vetë politikanët shqiptarë si puna e Hashim Thaçit në takime me ndërkombëtarët. Para se Thaçi të flasë si ndërkombëtarët për çështjen shqiptare, janë vetë ndërkombëtarët ata që po (mësojnë të) flasin si Thaçi (prej vetë Thaçit). Askush nuk mund të na respektojë dhe të na i mbrojë interesat tona më shumë e më parë sesa që këtë ta bëjmë ne për veten tonë. Thaçi flet me zyrtarët amerikanë në emër të të gjithë neve por ai mbron veçse interesat e tij personale në llogari të të gjithë neve. Dhe, le të mos harrojmë që mu këta politikanë që e kanë pranuar ndarjen e Kosovës nga Shqipëria dhe që duan ta përforcojnë këtë ndarje, janë po ata të cilët – njëherë pasi që e kanë përvetësuar zanatin e ndarjes sipas mendësisë së tyre krahinore – tash po na e përçajnë edhe Kosovën përbrenda duke na e ndarë atë në Llap, Drenicë e Dukagjin.

KOMENTE