Bruksel, 13 korrik 2011, NOA – Pak orë pas zbardhjes së vendimit të Kolegjit Zgjedhor për garën për bashkinë e Tiranës, Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan i bëri thirrje palëve të respektojnë vendimin dhe të nisin bashkëpunimin për reformat integruese të vendit.
“Në Shqipëri ka institucione të ligjshme, të përgjegjshme për vendimet që marrin. Unë mendoj se është e domosdoshme që vendimet të pranohen, për t’u përqendruar tashmë në axhendën europiane, e për t’u marrë me 12 kriteret e përcaktuara për Shqipërinë”, tha Kukan në një intervistë për televizionin AS.
Në këtë kuadër, Kukan ritheksoi se është tejet e nevojshme reforma në ligjin zgjedhor, të cilën ai e cilësoi si një garanci në marrjen fund njëherë e mirë të historisë së zgjedhjeve pa standarde.
“Mendoj se ka ardhur koha për të mbyllur njëherë e përgjithmonë këtë histori që përsëritet në çdo zgjedhje”, tha gjatë intervistës Kukan.
mit/NOA