Nga Mero Baze
Komisioni i Ligjeve ka kaluar një projektligj që autorizon Kuvendin e Shqipërisë të miratojë një vendim për ndërtimin e parlamentit të ri të Shqipërisë, pa caktuar një vlerë. Pa i hyrë shumë debatit për mundësitë financiare të qeverisë dhe rrënimit të buxhetit, deputetët e Berishës po përpiqen të orientojnë debatin tek fakti a janë të gatshëm opozitarët të pranojnë një godinë të re parlamenti apo jo. Më i shquari për budallallëqe prej tyre, Enkelejd Alibej, bile e ka shpallur si sfidë për jetë e vdekje të qeverisë se do ta ndërtojë me çdo kusht atë godinë, sado që të kushtojë. Është fjala për një shifër e cila lëviz nga 20 milionë në 110 milionë euro sipas dalldisë që kap zonjën Topalli sa herë shikon makete prej plasteline në zyrën e saj. E thashë që kur debati degradon në një pikë që flet dhe Alibeaj, e ke të vështirë të përdorësh logjikën më tej. Problemi është se qeveria shqiptare ka një precedent të rrezikshëm penal me vendimet që merren me VKM për shpenzime pa faturë. Rruga Rrëshen- Kalimash, e cila po na nxjerr nga binarët gjithë stabilitetin makroekonomik të vendit, nuk u miratua dot në parlament, pikërisht se mungonte një shifër fikse për faturën e saj. Qeveria vendosi një shifër të përafërt 440 milionë euro, ndërkohë që ajo shkoi rreth 1 miliard. Zonja Topalli po shkon dhe më tej. Ajo po kërkon të përdhunojë Kuvendin, që të miratojë një vendim për ndërtesën pa i vënë një shifër faturës që s’dihet kush do ta paguajë dhe kur do ta paguajë.
Po pse guxon ta bëj këtë zonja Topalli?
Rasti më fatlum është Lulëzim Basha, rivali i saj në parti. Ai u përdor nga familja Berisha për të bërë kamikazin në një skemë financiare, e cila u mori shqiptarëve 1 miliard euro për një rrugë 60 km, ose 5 herë më shumë nga sa është ndërtuar pjesa tjetër e rrugës, në të ënjtin terren. Edhe pse prokuroria e gjeti fajtor zotin Basha dhe e çoi për gjykim, pushteti arriti ta dështojë çështjen duke i djegur afatet gjykimit dhe duke e mbyllur çështjen pa u gjykuar. Vetë zonja Topalli, edhe pse ëndërronte natën ta shihte zotin Basha pas hekurave, ditën ngrinte dorën për ta mbrojtur atë në emër të kulturës së pandëshkueshmërisë që po kultivon qeverisja e Sali Berishës në vend.
Në një rast të dytë më flagrant, Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u gjet fajtor pasi kishte firmosur një dosje të çuar në tavolinën e tij nga djali i Sali Berishës, e cila shkaktoi 26 të vdekur dhe miliona euro dëme materiale. Ministri i Mbrojtjes me imunitet, u rizgjodh në kabinet, dhe sot vazhdon të jetë aty si dëshmitarë i pandëshkueshmërisë kur je i përfshirë në një histori me Sali Berishën.
Në një rast edhe më ekstrem, dy ditë më parë, Gjykata e Lartë filloi ndërtimin e një procedure për të shpëtuar nga fajësia ish-zëvendëskryeministrin Ilir Meta, i cili u shfaq live para shqiptarëve duke folur për miliona nga sekserët e tij. Gjykata mori një vendim absurd, duke mos quajtur të vlefshme ekspertizën mbi kasetën e regjistruar, ndërkohë që ajo në vetvete përbën një fuqizim dëshmie, pasi thelbi ka të bëjë me denoncimin e Dritan Priftit dhe jo me mënyrën si është regjistruar kaseta. Kjo është njësoj sikur unë të jem në rrugë, të shikoj se si dikush vret një qytetar, ta filmoj me celular dhe kur të shkoj ta denoncoj, gjykata të thotë që regjistrimi ishte i paligjshëm pasi s’kishte autorizim nga gjykata. Natyrisht që s’mund të kishte, ai është krim në flagrancë dhe gjykohet mbi bazë të dëshmisë dhe elementëve ndihmës të saj, dhe jo mbi bazë të një prove klasike. Bile Gjykata ka shkuar dhe më tutje, duke pranuar si palë dhe një ekspert të propozuar nga mbrojtja e Ilir Metës, i cili hedh poshtë fuqinë e provës që ka kaseta e regjistruar. Me këtë procedurë Ilir Meta shfaqet i pafajshëm dhe bashkë me të mbyllet dhe historia e denoncimit të korrupsionit në Shqipëri dhe fuqia e opinionit publik shumëzohet me zero. Ajo kasetë pati fuqi të ngrejë njerëzit në këmbë dhe të detyrojë Sali Berishën me Lulëzim Bashën të vrasin katër vetë më 21 Janar dhe nuk ka fuqi të fajësojë autorin.
Zonja Topalli ka po ashtu parasysh 21 Janarin. Para dyerve të ndërtesës së kryeministrisë, me urdhër të Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës u qëllua mbi turmën ku u vranë 4 vetë dhe u plagosën 25 të tjerë që zoti ua fali jetën. Sali Berisha dhe Lulëzim Basha as që janë thirrur të dëshmojnë në prokurori para “lavires së bulevardit”. Perëndimi u manipulua para krimit dhe heshti kur Sali Berisha nuk pranoi të dorëzonte të dyshuarit për vrasës, duke i dhënë fund shanseve që urdhëruesit e tyre të shkonin para drejtësisë. Lulëzim Basha dhe Sali Berisha kanë lënë sot dhjetë fëmijë jetimë që po vuajnë dhe nga lufta e klasave e tyre aty ku mbijetojnë, dhe nuk u ka hyrë asnjë gjemb në këmbë.
Për ta banalizuar deri ku ka shkuar kufiri i pandëshkueshmërisë në vend do ta mbyll me një rast të ditës së djeshme. Në një nga plazhet më të bukur në Shqipëri, përballë ishullit të Zvërnecit, dje banorët dhe pushuesit u lebetitën nga shpërthimi i solarit në sipërfaqe të detit, duke e kthyer atë në një depo karburanti si ato në anë të rrugëve në Ballsh. Sipas një zyrtari lokal që është shef i kapitenerisë së Vlorës, i quajtur Anastas Godo, “del se lënda i përket kompanisë ARMO, e cila po mbush një anije”. Kjo ka ndodhur në mes të sezonit turistik, në një nga plazhet më të bukur të Shqipërisë dhe dje kanë heshtur të gjitha mediet, dhe gjithë qeveria. Mediet pasi pronari i ARMO, i cili është i dyshuar sipas autoriteteve për këtë masakër u ka mbyllur gojën me pare, dhe qeveritarët nga paniku se ai u tregon fotografinë me Liri Berishën dhe atyre u ikën zëri dhe fytyra. Në redaksinë e gazetës Tema dje merrnin qytetarë të shqetësuar nga Vlora, nisnin dhe foto nga masakra e bërë dhe askush nuk shkoi aty të paktën të niste një hetim penal për ndotjen e mjedisit. Por ndërsa miku i gruas së kryeministrit bën masakër mbi plazhet tona, kryeministri del e broçkullis për bumin turistik të vendit, i cili i ngjan më shumë bombës mbi turizmin.
Të gjitha këto që rreshtova më lart, i kemi parë dhe përjetuar njësoj dhe unë dhe zonja Topalli dhe miliona shqiptarë. Unë natyrisht jam i revoltuar si miliona shqiptarë, pasi jemi në anën e atyre që dëmtohemi nga kjo kulturë mosndëshkueshmërie, por zonja Topalli dhe pakica që na qeverisë janë të qetë nga ky bilanc pasi i siguron se çfarëdo gjëje që të bëjnë nuk u hyn gjemb në këmbë. Kjo e shpjegon dhe faktin se në një vend ku nuk ndërtohet parlamentarizëm që të vërë para përgjegjësisë shpërdoruesit e pareve, harxhohen pare për godina parlamenti. Kjo bën diferencën mes atyre që institucione nuk dinë infrastrukturën e një shoqërie me shtet ligjor, por godinat, llaçin, tullat, xhamat, makinat dhe rojet. Kjo bën diferencën mes atyre që mendojnë ja vlen të harxhosh miliarda për një godinë parlamenti dhe të zhdukësh brenda saj parlamentarizmin, dhe atyre që mendojnë se ja vlen të vdesësh për parlamentarizmin, edhe sikur ai të zhvillohet në një shtëpi të thjeshtë si shumica e shtëpive të shqiptarëve. Kjo është diferenca mes atyre që mendojnë se zoti i ka zgjedhur për ta na sunduar dhe atyre që shpresojnë akoma se regjimi mund të rrëzohet edhe me votë, edhe me parlamentarizëm, edhe me opinion publik, edhe me medie të lira, edhe pse sot që po shkruaj të gjitha këto kanë vdekur.
*Pikëpamjet dhe faktet e pretenduara në shkrim, janë qëndrim dhe përgjegjësi ekskluzive e autorit.