Tiranë, 13 korrik 2011, NOA- Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama nëpërmjet një deklarate për mediat u shpreh se në Kolegjin Zgjedhor u konsumua tërësisht vepra e vjedhjes së zgjedhjeve me vendim gjykate.
Sipas tij, vendimi i dhënë nga Kolegji Zgjedhor për betejën e Tiranës konfirmoi se, pushteti gjyqësor ka marrë fytyrën e qeverisë dhe se shteti e ka nxjerrë Shqipërinë nga Binarët e Europës ku asnjë vlerë dhe parim i NATO-s nuk ka më vlerë.
“U tregua se Saliu zgjedhjet i vjedh dhe nuk i fiton, ne i kërkojmë sot publikisht miqve ndërkombëtarë, që në kushtet ku vjedhja ka ndodhur hapur dhe kur gjykata nuk ka shqyrtuar çështjen, të mos mjaftohet vetëm me fjalët e thëna nga qeveria. Miqtë nuk mund të bëhen palë me vjedhësit e votës, duke shkelur hapur e drejtësinë”, u shpreh Rama.
Më tej ai falenderoi të gjithë përfaqësinë ndërkombëtare në Bruksel e në mbarë botën dhe i garantoi ata se Partia Socialiste dhe opozita do jenë mbartëse të vlerave dhe se kursi politik i saj do të jetë shprehje e plotë dhe kuptimplotë për ta futur Shqipërinë në rrjedhën e kërkuar të demokracisë dhe në rrugën e kërkuar nga ana e Bashkimit Europian.
Kryesocialisti theksoi se, Partia Socialiste e bën të qartë dhe pa asnjë ekuivok se nuk do të bëhet pjesë e çfarëdo farse të ideuar nga Saliu si dialog, i cili vijon të tallet me popullin shqiptar.
Më tej ai e konsideroi Kryeministrin Berisha si dhunuesin e Kushtetutës i cili grabiti ditën në diell pushteti nën Tiranë, që sulmon e kërcënon prokurorinë, e që dekoron ata që vrasin demonstruesit me pushkë.
“Nuk ka sot më sot asnjë lloj dialogu të mundshëm. Për këtë duhet të pranohet publikisht se ajo që ndodhi në 8 maj ishte jashtë çdo standardi ndërkombëtar dhe kjo nuk do të përsëritet më, këtë sigurisht nuk e presim nga Saliu por nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, vetëm pas kësaj mund të flitet jo vetëm për dialog por për një paketë reformash të cilat janë të kërkuara nga Bashkimi Europian... por këtë mund ta garantojë vetëm faktori ndërkombëtarë të cilët duhet të pranojnë se këtë herë nuk u vodh vetëm Partia Socialiste por edhe Bashkimi Europian e Komuniteti Europian”, deklaroi lideri i selisë rozë.
Në mbyllje të fjalës së tij Rama iu drejtua kreut të qeverisë duke i thënë se në gjurmët e vjedhjes së pushtetit do të gjendet edhe fundi i pashmangshëm i pushtetit të tij.
a.y/NOA