Tiranë, 13 korrik 2011, NOA- Lëvizja Socialiste për Integrim nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të saj Luan Rama, ka ftuar opozitën që të bëhet pjesë e reformës zgjedhore.
Lidhur me mbajtjen e reformës zgjedhore, Rama tha se LSI është e gatshme për të, madje shtoi ai se kjo parti fton edhe palët të bëhen pjesë e këtij procesi.
“LSI, fton opozitën të japë kontribut për të realizuar reformën si kusht të rëndësishëm për ritme më të shpejta në kuadër të integrimit europian të vendit. LSI ka ndërmarrë iniciativa dhe thekson se është e gatshme të kontribuojë e të japë të gjithë përvojën dhe ndihmesën e vet që ky proces të fillojë menjëherë”, deklaroi Rama nëpërmjet një konference dhënë për mediat.
Më tej ai shtoi se koha nuk duhet shpërdoruar siç ka ndodhu më parë, madje theksoi se nëse opozita është e angazhuar për të qenë pjesë e këtij procesi, është koha për kontribute reale dhe jo për fjalë e demagogji.
Ndër të tjera Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim theksoi se OSBE do të gjejë tek LSI partner korrekt, me kontribut real për të realizuar këtë reformë në të mirë të interesave të qytetarëve.
Kjo reformë u shpreh ai, del si domosdoshmëri edhe pas zgjedhjeve të 8 majit ku u vunë re një sërë problemesh, të cilat e bëjnë të domosdoshme një reformë zgjedhore të plotë.
Sakaq Rama tha se e rëndësishme është edhe reformimi i sistemit të drejtësisë si një kusht që duhet plotësuar për të arritur parametrat europianë.
a.y/NOA