English

Revolucioni vijon, Qeveria zeron taksën e importit për industrinë e konfeksioneve

Tiranë, 13 korrik 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha vlerësoi modelin ekonomik të ndjekur nga qeveria shqiptare duke deklaruar se revolucioni fiskal do të vijojë në mënyrë të pandërprerë.

Gjatë mbledhjes së përjavshme të qeverisë zoti Berisha deklaroi se qeveria vendos sot të bëjë zero taksën prej 10 përqind për të gjitha importet e industrisë së konfeksioneve, që nënkupton, mosvjeljen nga shteti të plot 1 miliardëve lekëve që burojnë nga industritë e konfeksioneve.

“Kjo industri, e cila në shumë nga sipërmarrjet e saj funksionon do të ketë mundësi të zgjerohet. Kjo industri përbën një nga eksportet më të suksesshëm të vendit, ku vetëm në pesë muajt e fundit janë regjistruar 20 ndërmarrje të reja fasonesh”, bëri me dije kryeministri.

Ai e vlerësoi projektligjin e ministrisë së Financave, duke bërë me dije se ai u diskutua dhe u mirëprit edhe nga Këshilli i biznesit.

Shefi i ekzekutivit vlerësoi rishtas këtë vendim të qeverisë për heqjen e taksës për industritë fasone, duke shtuar se ai merret në kushtet kur vendet e tjera vetëm rrisin taksat.

“Ne besojmë që ky 10 përqindësh apo ky 1 miliardë lekë që do të hynte në arkën e shtetit do të ishte më mirë ta kishin sipërmarrësit privatë”, tha zoti Berisha.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri foli edhe për vendime të tjera të qeverisë si kalimi i propozimit për pagën minimale për orë pune, e cila sikundër tha ai, ishte tejet qesharake në ditët e sotme.

“Përgjysmuam akcizën e birrës, paçka se disa birrëpirës të mëdhenj mbetën të pakënaqur. Ne e ulëm me 50 përqind dhe bëmë shumë mirë pasi ky sektor punëson 3 mijë vetë në vend, është industria më moderne dhe prodhimet e saj janë të shkëlqyera”, theksoi kryeministri.

Duke folur për revolucionin fiskal, shefi i ekzekutivit foli edhe për vendimin e heqjes së taksës së importit dhe të shitjes së makinave.

Kryeministri nënvizoi këtu se heqja e taksës doganore për makinat, do të shoqërohet me një tarifë mbi karburantin, duke e argumentuar këtë lëvizje si një hap për të mbrojtur mjedisin.

“Duhet të kemi një gjë të qartë, duhet të bëjmë gjithçka për të mbrojtur mjedisin, jetën tonë. Sot për fat të keq shëndeti i njeriut që nga foshnjet që presin për të lindur dhe të sapolindurit e deri tek të moshuarit, janë subjekt i ndikimit të substancave nga më të ndryshmet, të ushqimeve me konservantë, asnjë prej tyre i dëshirueshëm për organizmin, apo agjentë të tjerë në ajër, ujë e kudo”, argumentoi me gjuhën e doktorit kryeministri.

Ai theksoi sakaq se mbrojtja e shëndetit dhe observimi i standardeve të pranueshme përbën kusht të domosdoshëm, ndaj argumentoi ai, taksa e karbonit do të kalojë për mbjelljen e drurëve frutorë.

Zoti Berisha vlerësoi rishtas se pyllëzimi është konceptuar me dru frutorë të vendit, dhe shpenzimi i taksës së karbonit për mbjelljen e drurëve frutorë përbën një hap të madh në projektet madhore kombëtarë, atë të ullirit dhe arroreve.

Kryeministri foli edhe për një ristrukturim të taksës së qarkullimit, duke thënë se qeverisë vendore do t’i mbetet 20 përqind e këtyre taksave në buxhetin e shtetit.

Zoti Berisha tha se “sapo të konstituohet do të nisim menjëherë dialogun me ta për të bërë decentralizimin fiskal”.

mit/

KOMENTE