Akademik Pajazit Nushi
Në fëmijët e vet Dr. B. Bardhi e reflekton lirinë e shqiptarëve dhe lirinë njerëzore, duke i parë në emrat e tyre nismëtarët e vendosur për çlirim dhe liri njerëzore e kombëtare.
Plagët e vjetra dhe të reja, me rrëke gjaku e kanë sajuar kujtesën historike të popullit shqiptar si edhe historinë shkencore të kombit shqiptar.
Në historinë e këtillë ka vite, dekada e shekuj tragjikë, ku shqiptarët i kanë mbijetuar format e shumëllojshme të dhunës e të tmerrit. Por, dhuna e tmerri, të përjetuara nga shqiptarët e Kosovës në vitet e fundit të shekullit njëzet, janë karakteristike për shumëllojshmërinë dhe brutalitetin e paparë në historinë më të re të popujve të Evropës. Çdo i dyti shqiptar i Kosovës ka qenë dëbuar me synim programues të boshatisjes sa më të madhe të Kosovës nga shqiptarët etnikë. Aty ku nuk është arritur realizimi i këtij qëllimi ose ky objektiv, është realizuar pjesërisht nga paramilitarët, policët dhe ushtarët e armatës jugosllave, përkatësisht të armatës serbe të Millosheviçit.
Për vënien në jetë dhe për t’i çuar më tutje projektet kundërshqiptare, të trashëguara nga e kaluara e shëmtuar, pushteti shtetëror serb futi në përdorim mënyrat më të egra. Ai vuri në veprim burgjet, vrasjet e krimet me zhdukje gjurmësh, pa kursyer fëmijë, gra as pleq, duke djegur e asgjësuar shtëpi, dyqane, banesa, rrugë, sheshe, vendbanime, fshatra dhe kuarte qytetesh. Këto bëheshin për të mos lënë kushte as mundësi kthimi e ripërtëritjeje të popullsisë më të vjetër të Kosovës – të popullsisë shqiptare.
Pothuajse burgu me tortura, në çdo mjedis të Kosovës kanë vepruar bashkërisht dëbimi, sakatosjet e vrasjet dhe format e tjera të krimit të organizuar institucional. Këtë të keqe përmasash kaq të mëdha dhe strukturash nga më të llojllojshmet të krimit e përjetoi e tërë Kosova. Gjakova këtë e pësoi në forma edhe më të përgjakshme që nga fillimi i veprimit të “Thikave” të Vuk Drashkoviqit e të Sllobodan Millosheviçit dhe të të gjithë të tjerëve të sojit barbar të tyre. Qytetarët e Gjakovës, por edhe ata të qyteteve të tjera të Kosovës, sot përpiqen t’ua gjejnë varrezat fëmijëve e nënave të tyre, motrave e vëllezërve, baballarëve e gjyshërve të tyre, për të ditur ku të qajnë dhe ku të vëjnë lule kujtimi mbi dheun e rëndë të pjesëve të skeletit të më të dashurve të tyre. I këtillë është sot qyteti i Gjakovës – dhjetë vjetë pas çlirimit të Kosovës nga barbaria politike e Sllobodan Millosheviçit.
Por, me gjithë këto masa barbare të organeve dhe të institucioneve të pushtetmbajtësve serbë në Kosovë, shqiptarët e Kosovës treguan shpirtin e qëndrueses, mençurinë për mbijetesë dhe identitetin e mirëfilltë të tyre.
Të gjitha këto Dr. Besnik R. Bardhi i parashtron me fakte e argumente të qëndrueshme, ndaj libri i tij “AGONI E SHPRESA” u duhet lexuesve shqiptarë (dhe jo vetëm atyre) sepse herë-herë faktin jetësor e ka shndërruar edhe në fakt artistik.
Si i këtillë, ky libër paraqet një dëshmi rrëqethëse për krimin e vazhdueshëm institucional të ardhësve serbomëdhenj mbi shqiptarët autoktonë. Shtrohet pyetja: Si është përjetuar, vallë kjo gjendje nga ana e atyre që i rezistuan dëbimit e nuk ia kthyen shpinën qytetit të dashur, qytetit të gëzimit dhe të lotëve të të parëve, duke rrezikuar, madje, edhe jetën e tyre, të familjeve të veta dhe ardhmërinë e vet? Për këtë është rrëfyer e shkruar dhe ka çfarë të thuhet dhe të shkruhet ende, por përjetimet dhe qëndrimet e Dr. Besnik R. Bardhit dhe angazhimi i tij për liri të vendit, të paraqitura në këtë libër të tij, kanë veçoritë e veta, të cilat këtë libër e bëjnë të merituar për shpalosje me kujdes. Vallë, përse?
Sa të rënda kanë qenë përjetimet e drejtpërdrejta të tij dhe sa e madhe ka qenë pesha e mallkimit të veprave barbare serbe ndaj shqiptarëve, dallohet në trajtimin e zisë së madhe që e ka pushtuar qytetin e tij nga zhdukja e familjeve të tëra, ku përmendët familja Vejsa, Sharani, Haxhiavdyli, Saraqini, Dana, Cana, Çerkezi …
Autori e përqafon me plotë bindje pohimin e Xhim Moranit, sipas të cilit “Serbët vepruan si banditë – prandaj Serbia nuk ka të drejtë të qeverisë në Kosovë”.
Me botimin e kësaj vepre Dr. Besniku i ngeli besnik traditës kulturoetnike e atdhedashëse të Sulejman Vokshit, të Bajram Currit, të shkencëtarit mendjendritur Selman Riza, njeriut të dashuruar në Kosovën dhe në Gjakovën e tij, njeriut të pikëlluar, që vdiq larg Gjakovës, dhe shumë të tjerëve.
Tradita e këtillë shihet edhe në porosinë e lënë fëmijëve të Medlinës, Betimit dhe Poemës që: “Orën e parë të historisë t’ua kushtojnë njohjes së vuajtjeve e gjakut të derdhur për liri të vendit, në mënyrë që historia të mos përsëritet kurrë më”. Gjakova mendësia dhe mendëria e shqiptarëve të saj, me botim të këtij libri, ia shtojnë vetes edhe një vlerë: I nderoi dhe i respektoi edhe një herë të gjithë ata që ranë në frontin e lirisë kombëtare. Domethënëse është edhe porosia e tij: “Barbaritë ndaj shqiptarëve të Gjakovës e të Kosovës me viset rreth saj dhe ato ndaj vlerave kulturo-historike të vendit tonë të mos përsëriten askund dhe kurrë më!”.