English

Alibeaj: Piramida do shembet për të ndërtuar tempullin e demokracisë

Tiranë, 14 korrik 2011, NOA – Relatori i projektligjit për ndërtimin e Kompleksit të ri parlamentar tek Piramida, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj u është përgjigjur sot zërave kundër shembjes së Piramidës duke deklaruar se shembja e saj do të bëhet për të mos mbajtur në qendër të Tiranës një fantazmë të diktaturës.

Alibeaj sqaroi nga foltorja e Kuvendit se projektligji i propozuar nga 38 deputetë demokratë nuk është një projektligj për shembjen e Piramidës, por një projektligj për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të Parlamentit të ri.

Sipas tij projektligji i ka kaluar të gjitha procedurat e përcaktuara nga Kushtetuta para se të mbërrijë për t’u miratuar në Kuvend.

Deputeti Alibeaj deklaroi se arsyeja më e fortë për ndërtimin e Kompleksit të ri parlamentar është se populli dhe vendi kërkon tempullin e vet të demokracisë, të plotë dhe funksional.

Alibeaj rikujtoi se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që s’ka një kompleks parlamentar, duke argumentuar se kjo është arsyeja pse duhet të ndërtohet parlamenti i ri.

Sipas tij motivimi ekonomik për ndërtimin e Parlamentit të ri përligjet nga fakti se institucionet e vendit lipset të jenë dinjitoze edhe në strehën e tyre.

“Ka disa institucione që kanë nevojë për një strehë dinjitoze. Gjykata e Lartë ka një sallë tejet të padenjë për kryerjen e gjyqeve”, tha ai.

Duke iu referuar kundërshtive për ndërtimin e Parlamentit, Alibeaj i cilësoi ato si kundërshti me arsye të pastra ideologjike.

Ai iu përgjigj këtyre kundërshtive se ndërtimi i Tempullit të Parlamentit tek vendi ku tashmë ngrihet Piramida është një leksion që i jepet atyre që duan të mbajnë gjallë në kujtesë simbolet e errëta të diktaturës.

Këtu, deputeti Alibeaj u përgjigj edhe për akuzat për mungesë fature të projektit, duke thënë se Kompleksi i ri Parlamentar do të ndërtohet me para publike, por pa dhënë një kosto të ndërtimeve që pritet të nisin pas shembjes së Piramidës.

mit/NOA

KOMENTE