Tiranë, 14 korrik 2011, NOA – Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu deklaroi se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që kufizon me imunitet të plotë hetimin e zyrtarëve të shtetit.
Gjatë ceremonisë përmbyllëse për komponentin e 6 të Programit të Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë, faza e dytë, ambasadori amerikan i bëri apel autoriteteve shqiptare të ndryshojnë ligjin për imunitetin e zyrtarëve, në mënyrë që lufta kundër krimit, korrupsionit dhe pastrimit të parave të mos përballet me asnjë pengesë.
“Diskutimi për ligjin për imunitetin në Shqipëri nuk është asnjëherë i plotë. Shqipëria është e vetmja që kufizon të gjitha hetimet mbi zyrtarët publikë përmes imunitetit. Kam shprehur shqetësimin se është i vështirë të kryesh hetime tek zyrtarët me imunitet. Andaj ju inkurajoj që të ndryshoni ligjet për hetimin e zyrtarëve me imunitet”, theksoi zoti Arvizu.
Ai apeloi që ligjet duhet të zbatohen njëlloj për të gjithë.
Duke vlerësuar programin si të suksesshëm, ambasadori amerikan çmoi prokurorinë në punën e saj në luftën kundër krimit e korrupsionit duke nënvizuar se prokurorët kanë rol të rëndësishëm në hetim.
Duke folur për suksesin në ngritjen e njësive të përbashkëta të hetimit Arvizu tha se “Koncepti i taskforcave është i vështirë e kërkon durim dhe bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve. Qasja e punës në grup ka bërë që të funksionojë ngritja e njësive të përbashkëta të hetimit”, shtoi diplomati amerikan, duke nënvizuar se gjatë programit në dy vitet e shkuara ka patur si suksese edhe zhgënjime.
mit/NOA