English

Berisha: Simon Jubani, luan i qëndresës mbinjerëzore në burgjet hoxhiste

Tiranë, 14 korrik, NOA- Kryeministri Sali Berisha shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të klerikut të njohur, Dom Simon Jubanit.

Me anë të një mesazhi, kreu i qeveria ka u ka shprehur ngushëllimet familjarëve dhe Kishës Katolike. Ai shprehet se Jubani është simboli i qëndresës njerëzore në burgjet më të egra të sistemit komunist.

“Me ndarjen e tij nga jeta, Shkodra e Shqipëria humbën luanin e qëndresës mbinjerëzore në burgjet e regjimit hoxhist. Torturat, presionet, qelitë e errëta nuk e mposhtën dot qëndresën dhe besimin e tij, tek Zoti, tek Krishti Mbret dhe Liria. Duke Ju shprehur Ju, Kishës Katolike e mbarë qytetit ngushëllimet e mia më të thella, i lutem Zotit që shpirti i tij të gjejë paqen e amshuar e të prehet përjetë në panteonin e Lirisë së kombit Shqiptar”, shprehet Berisha në mesazhin e tij.

Ai shprehet se Dom Simon Jubani do të mbahet mend gjatë si figura e dashur dhe e respektuar e klerikut, që i qëndroi me guxim mbrojtjes së vlerave të besimit dhe lirive të njeriut edhe gjatë persekutimit të gjatë mizor që ai vuajti në burgjet komuniste.

Në mesazhin e tij, Berisha u shpreh se emri i Jubanit është i lidhur ngushtë me ringritjen e besimit në Shqipëri pas diktaturës.

“Dom Simon Jubani zë një vend të veçantë në historinë e ringjalljes së besimit dhe hapjes së institucioneve fetare si meshtari që sfidoi regjimin komunist dhe drejtoi nga Shkodra jo thjesht meshën e parë publike, në nëntor 1990, por përçoi shpresën dhe besimin në rikthimin e vlerave njerëzore, shpirtërore e fetare. Dom Simon Jubani ishte dhe do të mbetet në kujtesën historike të shqiptarëve si flakadan i guximit dhe i besimit”, shkruan Berisha në mesazhin e tij për familjen e Dom Simon Jubanit dhe drejtuesve të Kishës Katolike.

a.k/NOA

KOMENTE