English

Kompleksi i ri parlamentar, a ishte gjëja më e domosdoshme që kishim nevojë?

Kuvendi miraton në seancë plenare projektligjin “Për ndërtimin e kompleksit parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë”. Plani duket ambicioz por po kundërshtohet shumë nga opozita dhe disa organizata joqeveritare. Për më tepër, askush nuk thotë zyrtarisht sa do të kushtojë ky kompleks dhe ç’është më e keqja: A ishte ky kompleks, gjëja më e domosdoshme që kishim nevojë?

Tiranë, 14 Korrik 2011 NOA/ Ervin Tirana - Me 72 vota pro, Kuvendi miratoi sot në Seancë Plenare projektligjin “Për ndërtimin e kompleksit parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë”. Relatori Viktor Gumi tha se projektligji përcakton bazën ligjore të ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar si dhe është një procedurë në vijim të konkursit të organizuar ndërkombëtar, mbi bazën e të cilit u përzgjodh nga një juri ndërkombëtare prestigjioze ideja e projektit të kompleksit të ri, si një projekt madhor me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar.

Gumi tha se në këtë projektligj përcaktohen rregullat dhe procedurat, të drejtat, detyrimet dhe afatet në dispozicion të institucioneve respektive për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar.

“Projektligji është në përputhje me Kushtetutën e Shqipërinë, jurisprudencën e zhvilluar nga Gjykata Kushtetuese si dhe me legjislacionin tjetër në fuqi” tha deputeti Gumi.

Pseudodebat në sallë, pa opozitën

Gjatë diskutimeve deputetët vlerësuan se ngritja e një tempulli të demokracisë me rastin e 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë është një moment i rëndësishëm, për të cilin duhet të jenë të gjithë bashkë.

“Ndihem i nderuar, si të gjithë ju këtu sot, që jam pjesë e këtij vendimi për ngritjen e një monumenti, që do të celebrojë përpjekjet 100-vjeçare për demokraci dhe parlamentarizëm. Sot ka ardhur momenti që më në fund demokracia dhe parlamentarizmi shqiptar të kenë një strehë dinjitoze”, - vlerësoi deputeti Strazimiri.

“Ne do të ndërtojmë një kompleks të ri ku do të gëlojë shpirti i demokracisë, besoj se ky është një nga rastet për t’u treguar shqiptarëve që teksa konsideratat që japin për qortimin së paku, të periudhës komuniste duhet të jetë rasti për të na treguar që të gjithë ne të jemi bashkë” u shpreh deputeti Enkelejd Alibeaj.

Qëllimi i projektligjit sipas Topallit

Qëllimi i projektligjit është që të sigurojë që autoritetet kombëtare dhe shtetërore përgjegjëse të bashkërendojnë veprimtarinë e tyre dhe të garantohet kryerja e veprimeve të duhura për plotësimin e procedurave të nevojshme, për realizimin e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar.

Gjithashtu, ky projektligj ka si qëllim t’i përgjigjet ndërtimit të kompleksit brenda një afati të përshtatshëm. Për këtë arsye procedurat e parashikuara janë në përputhje me rëndësinë e veçantë të këtij objekti. Kuvendi i Shqipërisë do të lidhë një kontratë, me studion e projektit fitues të konkursit ndërkombëtar të idesë për ndërtimin e kompleksit edhe për hartimin e projektit të zbatimit në të gjitha fazat.

A ishte i domosdoshëm ky kompleks?

Mazhoranca iu qep Piramidës së Enverit vitet e fundit, ashtu sikundër opozitë atëherë më 1991, brohoriste plot pathos duke kërkuar që të shkatërrohet çdo simbol komunist, me premtimin e kurrëmbajtur se me të ardhur ata në pushtet çdo gjë do të bëhej nga e para.

Njerëzit nuk ngurruan të dëmtojnë çdo simbol komunist edhe pse ato ishin qendra pune dhe prodhimi për të gjithë shqiptarët.

Sot, po kërkohet prishja e atij që mund të quhet simboli i fundit i komunizmit, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Pjetër Arbnori” që në vite njihej si Muzeu Enver Hoxha.

Pyetja që shtrohet është, a ishte kaq i domosdoshëm shkatërrimi i këtij objekti të ndërtuar pas vdekjes së Enver Hoxhës më 1985, si një godinë me arkitekturë sa muzeale në shërbim të qëllimit fillestar, aq edhe bashkëkohore duke përballuar edhe modernen e dekadave të fundit?

Përgjigjja është e thjeshtë: Kuvendi e ka vendin e tij të punës. Për më tepër, sapo ka përfunduar rikonstruksioni total i sallës së seancave plenare.

Pa harruar vitin 2007 kur vendi ku tani ndodhet Kryesia e Kuvendit e që më parë ka qenë Komiteti Qendror i PPSH, ishte konfirmuar si selia e re parlamentare duke harxhuar edhe atëherë shumë para për projekte dhe shumë bobina për ta përcjellë lajmin në media.

Në kushtet kur kriza globale është gjithnjë dhe më evidente dhe kur ekonomia shqiptare pritet të ndjejë efektet joakute të kësaj krize, ndërtimi i një kompleksi të ri parlamentar, nuk ishte gjëja më e domosdoshme për t’u kryer.

e.t/NOA

KOMENTE