English

Kryeministri shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Simon Jubanit

Tiranë, 14 Korrik 2011 NOA - Kryeministri Sali Berisha u shprehu sot me anë të një mesazhi, familjarëve dhe Kishës Katolike ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Dom Simon Jubanit. Në këtë mesazh, Kryeministri tha se për të gjithë qytetarët e Shkodrës, Simon Jubani do të mbetet misionari i ruajtjes dhe ringjalljes së virtyteve njerëzore dhe të besimit.

“Simon Jubani do të mbahet mend gjatë si figura e dashur dhe e respektuar e klerikut që i qëndroi me guxim mbrojtjes së vlerave të besimit dhe lirive të njeriut edhe gjatë persekutimit të gjatë mizor që ai vuajti në burgjet komuniste, duke u shndërruar në simbol të qëndresës dhe guximit”, - tha shefi i Qeverisë.

Sipas tij, Simon Jubani zë një vend të veçantë në historinë e ringjalljes së besimit dhe hapjes së institucioneve fetare si meshtari që sfidoi regjimin komunist dhe drejtoi nga Shkodra jo thjesht meshën e parë publike, në nëntor 1990, por përçoi shpresën dhe besimin në rikthimin e vlerave njerëzore, shpirtërore e fetare.

Kryeministri veçoi se Simon Jubani ishte dhe do të mbetet në kujtesën historike të shqiptarëve si flakadan i guximit dhe i besimit.

“Me ndarjen e tij nga jeta, Shkodra e Shqipëria humbën luanin e qëndresës mbinjerëzore në burgjet e regjimit hoxhist. Torturat, presionet, qelitë e errëta nuk e mposhtën dot qëndresën dhe besimin e tij, tek Zoti, tek Krishti Mbret dhe Liria”, - përfundoi z.Berisha mesazhin ngushëllues.

e.t/NOA

KOMENTE