English

Kryeprokurorja reagon: Akuzat e Metës retorikë politike

Tiranë, 14 korrik 2011, NOA – Dy ditë pasi shefi i LSI-së Ilir Meta e akuzoi prokurorinë se ka funksionuar si celulë ekstremiste politike në hetimin ndaj tij, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka reaguar duke i cilësuar deklaratat e Metës si retorikë politike.

E pyetur nga mediat mbi çështjen e hetimit të ish-numrit dy të qeverisë Berisha, kryeprokurorja deklaroi se prokuroria nuk ka shkelur asnjëherë procedurat gjatë hetimit.

“Retorikë politike, gjithçka që kemi për çështjen ne ia kemi lënë sallës së gjyqit”, u përgjigj zonja Ina Rama lidhur me akuzat e Metës.

Duke iu referuar deklaratave të ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve, kryeprokurorja Rama bëri me dije se organi i akuzës ka mbajtur qëndrimin e saj mbi imunitetin, duke shtuar se imuniteti i Metës ka qenë pengesë për hetimin, e nisur nga prokuroria për video-përgjimin Meta-Prifti, ku kreu i LSI-së është nën akuzë për korrupsion aktiv.

Deklaratat e Ilir Metës kundër prokurorisë erdhën pas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që vendosi gjykimin normal e të plotë të skandalit të korrupsionit lidhur me video-përgjimin Meta-Prifti.

Kryetari i LSI-së Ilir Meta tha se procesi hetimor i nisur nga prokuroria është skandaloz si për sa i takon shkeljeve të rënda të ligjit dhe procedurës së hetimit.

Zoti Meta akuzoi organin e akuzës se gjatë hetimeve funksionoi si celulë politike ekstremiste duke anashkaluar atë, për të cilën ka mandat ligjor e duhet të kishte si qëllim, zbardhjen e çështjes.

Sipas Metës, prokuroria kishte si synim rrëzimin e tij dhe forcës që ai drejton për arsye elektorale.

Meta tha se të gjitha ekspertizat e bëra nga prokuroria rezultuan të pavlefshme, duke e akuzuar rishtas organin e akuzës se ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin dhe Kodin e Procedurës Penale.

Ilir Meta u dërgua si i pandehur në Gjykatën e Lartë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme më 9 maj të këtij viti me akuzën e “korrupsionit aktiv”.

Hetimi ndaj tij nisi pas publikimit të një video-përgjimi të realizuar nga ish-ministri Dritan Prifti në zyrën e këtij të fundit, kur Prifti mbante postin e ish-ministrit të Ekonomisë, ndërsa kreu i LSI-së Ilir Meta mbante postet e zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme.

mit/NOA

KOMENTE