Me një kryeministër dhe lider të mazhorancës që ngurron ta ushtrojë autoritetin për të mos rrezikuar pushtetin, kriza të tjera politike do të shfaqen në horizont. Jakup Krasniqi nuk është rreziku real, por shenja e gjallë se kaosi politik dhe lufta brenda llojit do ta shoqërojnë udhëtimin e kësaj shumice drejt zgjedhjeve të ardhshme.
Nga Armand Shkullaku
I nxehti i këtyre ditëve duket se ka nxehur edhe atmosferën politike në Kosovë. Konflikti i heshtur mes Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit është zgjeruar edhe me një tjetër rast delikat. Përplasjes në seancën e zgjedhjes së Pacollit president, moasprovimit për marrëveshjet me Beogradin apo kritikave të kreut të Kuvendit për marrëdhëniet me FMN-në i është shtuar së fundi refuzimi i një rezolute që tenton t’i hapë rrugë arrestimit të deputetëve të akuzuar për krime lufte. Kjo situatë e pazakontë nuk është produkt i vizioneve të ndryshme politike të Krasniqit, se sa pasojë e mungesës së theksuar të lidershipit të Thaçit brenda Partisë Demokratike të Kosovës. Rasti më i fundit, ai i imunitetit të deputetëve, që po trazon jetën politike në Prishtinë, është dëshmi e pastër e dobësisë së kryeministrit në drejtimin e grupit të tij politik. Në këtë debat ku janë përfshirë EULEX-i, kryetari i Kuvendit, deputetët, ambasadori amerikan e partitë politike, zëri i liderit të shumicës, atij që duhet t’i japë një drejtim kësaj çështje, nuk është dëgjuar ende. Besnik i filozofisë së tij politike, që i lë gjërat të rrjedhin vetë pa marrë vendime mbi to, Thaçi dhe këtë herë po shpreson që një prej çështjeve më delikate për partinë e tij, t’ia zgjidhin të tjerët. Duke e ditur se çështja e imunitetit të deputetëve është në fakt çështje e imunitetit të Fatmir Limajt, ish shoku i armëve kërkon të shmangë çdo përgjegjësi nga vetja. Limaj është nën hetim dhe i akuzuar për krime të luftës bashkë me disa individë të tjerë, shumica e të cilëve kanë përfunduar në burg në pritje të gjykimit. Komandant Çeliku pati si mburojë të hekurt ndaj kësaj mase ekstreme, imunitetin e tij. Nëse heqja e imunitetit do të çonte në arrestimin e Limajt, duke ditur influencën e tij në parti dhe në një pjesë të votuesve, Thaçi do të kishte dashur të mbetej jashtë çdo implikimi. Situata është tepër delikate dhe me pasoja të paparashikueshme, por liderët shquhen pikërisht në të tilla raste. Është koha që grupi i PDK-së të ketë një qëndrim zyrtar politik nëse deputetët e akuzuar për krime lufte duhet të kenë ose jo imunitet. E këtë qëndrim duhet ta marrë përsipër lideri i partisë, pavarësisht kundërshtimeve apo përplasjeve të brendshme. Pas këtij qëndrimi, grupi i shumicës mund të propozojë dhe të votojë një ligj për kufizimin e imunitetit në rastet e krimeve të luftës, korrupsionit, etj., ose të votojë sipas rastit kërkesat e mundshme të prokurorisë nëse ajo kërkon heqjen e imunitetit për deputetë të veçantë. Por kreu i PDK-së, si gjithnjë, nuk ka preferuar të pozicionohet e për pasojë u shpik diçka origjinale që edhe kërkon t’i hapë rrugë prokurorisë të veprojë por edhe ta nxjerrë Thaçin të papërfshirë në këtë histori. Kjo shpikje është kërkesa që EULEX-i i ka dërguar kryesisë së Kuvendit, që kjo e fundit t’u drejtohet deputetëve për të miratuar një rezolutë, e cila autorizon qeverinë t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese një interpretim nëse imuniteti e mbron deputetin nga arrestimi kur ai akuzohet për krime lufte. I shquar si personazh i anekdodave me motiv mungesën e inteligjencës, Jakup Krasniqi e ka kuptuar së largu këtë rebus të EULEX-it. Pavarësisht lidhjeve personale me Limajn dhe pozitave brenda PDK-së, refuzimi i Jakup Krasniqit për të nisur këtë kapje të veshit të majtë me dorën e djathtë, qëndron. Madje as kërcënimi humoristik i ambasadorit Dell se SHBA-të do ndërpresin partneritetin me Jakupin, nuk e mbulon dot qëllimin e vërtetë të rezolutës. Përgjegjësia për heqjen e imunitetit të Fatmir Limajt, me pasojë eventuale arrestimin e tij, të mos i mbetet mazhorancës, dmth kryeminstrit Thaçi, por të dalë si një rezolutë e gjithë Kuvendit. Por sa e arsyeshme tingëllon kjo? Heqja e imunitetit të një deputeti nis me kërkesë të prokurorisë dhe, nëse ajo është e argumentuar, kalon në seancë ku votohet në mënyrë të fshehtë me 50+1. Një tjetër mënyrë është miratimi i një ligji ku deputetët vetë votojnë për kufizimin e imunitetit të tyre për disa vepra penale duke ia lënë rrugën e hapur prokurorisë për të vepruar. E nëse duhet patjetër interpretimi i Gjykatës Kushtetuese, qeveria mund t’i drejtohet direkt asaj pa ndërmjetësinë e Kuvendit. Por pasiguria për rezultatin e një votimi të fshehtë, refuzimi i Thaçit për të patur një qëndrim publik, e pastaj një ligj në Kuvend për heqjen e imunitetit në rastin e hetimeve për krime lufte, e ka detyruar EULEX-in dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë ta sajojnë një zgjidhje tjetër, atë të rezolutës parlamentare. Rezoluta është një gjetje që me pak presion ndërkombëtar mund edhe të funksionojë, por ajo nuk e zgjidh thelbin e problemit. Me një kryeministër dhe lider të mazhorancës që ngurron ta ushtrojë autoritetin për të mos rrezikuar pushtetin, kriza të tjera politike do të shfaqen në horizont. Jakup Krasniqi nuk është rreziku real, por shenja e gjallë se kaosi politik dhe lufta brenda llojit do ta shoqërojnë udhëtimin e kësaj shumice drejt zgjedhjeve të ardhshme.