Mumbai, 14 korrik 2011, NOA – Tre vjet nga atentati i fuqishëm në hotele në vitin 2008, metropoli i Indisë, Mumbai u rikthye mbrëmë në shënjestër të sulmit të terroristëve.
Tre bomba të shpërthyera në harkun kohor të 20 minutave vranë të paktën 21 persona dhe plagosën më shumë se 100 vetë në dy tregjet e famshme të bizhuterive në një stacion trenash.
Gjatë sulmit të fuqishëm u përdorën mbetje të bombave të përdorura nga militantët islamikë në Afganistan dhe Pakistan.
Njëra prej bombave bëjnë me dije mediat e huaja ishte e fshehur nën një çadër në një nga tavolinat përgjatë rrugës.
Policia indiane dyshon se sulmi është kryer nga ekstremistët islamikë të lidhur me fondamentalistët pakistanezë, por sulmi nuk është marrë ende përsipër nga një celulë terroriste.
Masakra në Indi pasoi një alarm në të gjithë vendin duke u artikuluar si një reaksion ndaj SHBA-ve dhe Pakistanit, që në fund të korrikut do të marrë pjesë në një raund të ri bisedimesh për paqen në Nju Delhi.
Përgjegjësi i shtetit të Maharashtra, ku përfshihet Mumbai, Prithivraj Chavan, deklaroi në mbrëmje se sulmi ishte një atentat në zemër të Indisë.
Sipas tij zgjedhja e vendit tejet të populluar për shpërthimin e trefishtë provoi se operacioni ishte i mirëorganizuar.
Këtë e konfirmoi edhe ministri i Brendshëm, P. Chidambaram, i cili mori detyrën në qeverinë e Nju Delhit të nesërmen e masakrës së vitit 2008 ku mbetën të vrarë afro 200 persona.
Shpërthimi i parë i mbrëmshëm ndodhi në 18.45 me orën lokale apo (15.15 me orën tonë) në tregun Zaveri, që gjendet në jug të qendrës tregtare të Mumbait.
Shpërthimi i dytë edhe më i fuqishëm sipas policisë ndodhi pranë një lagjeje historike e frekuentuar nga shtresa e mesme dhe e lartë e shoqërisë indiane, e quajtur Opera House”, ndërsa shpërthimi i tretë ndodhi pak km më në Veri të Dadar, në një qendër të rëndësishme hekurudhore edhe kjo tejet e populluar në momentin e shpërthimit.
Policia indiane dyshon se shpërthimet janë kryer nga grupi ekstremist indian Indian Mujahiddin, që ka lidhje me Xhihadin pakistanez aktiv në Kashmir.
Sipas policisë ata ishin përgjegjës edhe të sulmeve të tjera të ndodhura në të njëjtën mënyrë.
mit/NOA