Tiranë, 14 korrik 2011, NOA – Pas miratimit në Komisionin e Ligjeve vetëm me votat e mazhorancës, Kuvendi i Shqipërisë pritet t’i japë OK-in sot projektligjit për shembjen e Piramidës, e ndërtimin aty të Kompleksit të ri parlamentar.
Në seancën e sotme plenare të Kuvendit, e cila rishtas pritet të bojkotohet nga opozita do të diskutohet dhe miratohet nen për nen projektligji me 9 nene, i propozuar nga 38 deputetë të mazhorancës.
Miratimi i projektligjit për shembjen e Piramidës ka hasur në debatin e fortë publik të arkitektëve dhe shoqërisë civile, të cilët kërkojnë që për këtë çështje me rëndësi qytetare dhe historike për kryeqytetin të merret mendimi i popullit.
Gjithashtu shoqëria civile e cilësoi ndërtimin e Parlamentit të ri si një luks tejet të tepruar për Shqipërinë, që pritet të kushtojë mbi 110 milionë euro, në kushtet kur vendi po përballet me probleme ekonomike.
Megjithatë sipas ekspertëve kostoja përfundimtare e projektit mund të jetë shumë më e lartë.
Ndërkohë deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe akuzoi Kuvendin për shkeljen e kushtetutës në ndërtimin e Parlamentit të ri, pasi në projektligj nuk është parashikuar asnjë faturë financiare.
Komisioni i Ligjeve miratoi të martën në parim projektligjin për ndërtimin e Parlamentit të ri tek godina e Piramidës.
Ndërtimi i Tempullit të ri Parlamentar pranë Piramidës, do t’i kushtohet 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së vendit.
Qeveria po merret drejtpërsëdrejti me këtë projekt të shpallur nga kryeministri, si një projekt historik për kremtimin e pavarësisë së vendit.
Parlamenti i ri duhet të jetë gati në ditëlindjen e 100-ë të shtetit shqiptar.
Propozimi i deputetëve demokratë përcakton se Kuvendi i Shqipërisë do të jetë enti prokurues i firmës fituese të punimeve në vendin ku ndodhet sot Piramida.
Bashkia e Tiranës është lënë jashtë vendimmarrjes për lejen e ndërtimit mbi truallin ku ngrihet Piramida, pasi në projektligjin e debatuar ashpër nga opozita përcaktohet se leja e ndërtimit nuk do të jepet nga KRRT-ja e bashkisë së Tiranës, por nga KRRTRSH-ja.
Në draftin e paraqitur Piramida kalon nga pjesë e fondit të ministrisë së Kulturës në fondin e Kuvendit të Shqipërisë.
Projekti fitues për ndërtimin e Parlamentit të ri është ai vjenez i studios COOPHIMELB (L) AU, i koduar me numrin 11022.
Konkursi kombëtar ku morën pjesë 12 makete për ndërtimin e Parlamentit të ri të Shqipërisë u kryesua nga një juri e përbërë nga Johannes Ibelings si kryetar, dhe me anëtarë Imad Hassan, Mario Struzzi, Agron Lufi dhe Florian Nepravishta.
Ndërkohë Mbretëria e Arabisë Saudite ka shprehur gatishmërinë të financojë ndërtimin e Parlamentit të ri, i cili do të ngrihet mbi një sipërfaqe prej 28.000 metrash katrorë.
Mbështetja iu dha në Riad një grupi deputetësh nga Shqipëria, të kryesuar nga deputeti Sherefedin Shehu.
Ndërkohë pritet që së shpejti kryeparlamentarja Jozefina Topalli të zhvillojë një vizitë në Riad për të përfunduar detajet e kësaj mbështetjeje.
mit/NOA