English

Përmbledhje/Deputetët miratojnë ndryshimet në Buxhetin e vitit 2011

Tiranë, 14 Korrik 2011 NOA - Në seancën e sotme, deputetët miratuan në tërësi dhe nen për nen projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.355, datë 2.12.2010. Në emër të Komisionit për ekonominë dhe financat relatoi kryetari Edmond Spaho, i cili tha se “masa e ndryshimit e parashikuar në projektligj është reduktimi i shpenzimeve në rreth 4,5% % të Prodhimit të Brendshëm Bruto".

Sipas relacionit, ndryshimet e përllogaritura nga Ministria e Financave erdhën si rrjedhojë e konsultave dhe negociatave me ministritë e linjës dhe institucionet e pavarura buxhetore, për të siguruar respektimin e prioriteteve institucionale.

Këto ndryshime nuk prekin objektet prioritare dhe ato me ecuri pozitive; ato nuk cënojnë kryerjen e funksioneve bazë të ministrive dhe institucioneve, por janë përqëndruar në shpenzimet operative. Fondet e buxhetit vendor janë korrigjuar në bazë të performancës së mbledhjes së të

ardhurave.

Miratohet marrëveshja për financimin e programit “Huaja e Politikës së zhvillimit të reformës në sektorin social”

Po sot, Kuvendi miratoi disa projektligje të rëndësishme, mes tyre edhe atë “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin e programit “Huaja e Politikës së zhvillimit të reformës në sektorin social””.

Relatorja e projektligjit, deputetja Albana Vokshi theksoi se objektivi i reformës së propozuar në sektorin social është mbështetja e ndryshimeve në politikat e dy sektorëve tepër të rëndësishëm për zhvillimin dhe përmirësimin e mirëqenies sociale të popullsisë me qëllim, për të rritur efektivitetin e programeve të sigurisë sociale dhe për të rritur efektshmërinë dhe barazinë e shpërndarjes së shpenzimeve shëndetësore në kushtet e një qëndrueshmërie fiskale.

Kuvendi miraton me 72 vota projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”

Projektligji “Për një ndryshim në ligjin e vitit 1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”,u miratua sot me 72 vota pro, nga deputetët e mazhorancës në seancë plenare ku opozita sërish mungoi.

Ky projektligji synon t’u njohë personave që kanë statusin e invaliditetit të drejtën e ankimimit në gjykatë të vendimit të KMCAP-së epror të ISSH-së.Ai mbështetet në praktikat e zbatuara në vende të tjera dhe synon përafrimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së.

Ndryshimet synojnë mbështetjen dhe favorizojnë personat që vuajnë nga sëmundje të ndryshme dhe janë në kushtet e invaliditetit.

Duke qenë se ligji ekzistues për sigurimet shoqërore është miratuar në vitin 1993 dhe ka pësuar ndryshime të shumta.

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, si dhe Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë sugjeroi që strukturat ekzekutive përkatëse të përshpejtojnë procedurat për reformimin e kuadrit ligjor të kësaj fushe, për të pasqyruar ndryshimet e ndodhura në praktikën e zbatimit të tij.

e.t/NOA

KOMENTE