Tiranë, 14 korrik 2011, NOA- Një grabitje e rëndë ka ndodhur vetëm pak minuta më parë te bulevardi Zogu i Parë në kryeqytet, afër Zërit të Popullit.
Sipas gazetarit të agjencisë së lajmeve NOA në vendngjarje, mësohet se ka qenë një i ri ai që ka hyrë në ambientet e argjendarisë duke lënë të plagosur me thikë shitësen e këtij dyqani, për të vijuar më tej misionin e tij.
Pas kësaj i riu ka vjedhur çka mundur në dyqan bizhuteri të llojeve të ndryshme, për tu larguar më tej në drejtim të paditur duke e lënë shitësen në luftë me jetën.
Sakaq mësohet se shitësja e këtij dyqani është dërguar nga kalimtarë të rastit në drejtim të spitalit për të marrë ndihmën e mjekëve, ndërsa nga bluzat e bardha theksohet se gjendja e saj është kritike për jetën.
a.y/NOA