English

Rundi i ardhshëm i dialogut Prishtinë-Beograd në fund të korrikut

Beograd, 14 korrik 2011, NOA - Rundi i ardhshëm i dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit, pritet të mbahet në fund të muajit korrik.

Në qendër të bisedimeve këtë herë do të jenë energjia elektrike, telekomunikacioni, kadastra si dhe vulat doganore.

Pas takimit me ndërmjetësin e BE-së në dialog, Robert Cooper, udhëheqësi i delegacionit serb Borisllav Stefanoviç deklaroi për agjencinë serbe Tanjug, se takimi me ndërmjetësin Cooper ishte takim i rregullt i radhës në kuadër të përgatitjeve për rundin e ardhshëm të dialogut Beograd-Prishtinë, citon e përditshmja kosovare “Koha ditore”.

Stefanoviç theksoi se bisedimet me ndërmjetësin europian ishin produktive dhe konstruktive.

Kreu i ekipit serb nënvizoi se ndërmjetësi Cooper u informua mbi qëndrimet e palës serbe lidhur me çështjet që duhet të shtrohen e të zgjidhen me dialog, si dhe pozicionet e Serbisë lidhur me zgjidhjet që priten gjatë rundit të ardhshëm të bisedimeve në Bruksel.

Më herët citon gazeta kosovare, Cooper deklaroi për gazetën serbe Blic, se gjatë zbatimit të marrëveshjeve pret të paraqiten probleme të vogla, pasi siç tha ai nuk mund të parashikohen të gjitha.

“Nëse do të ketë probleme grupi, çështjet e kontestuara domosdoshmërisht do t’i kthejë në tavolinën kryesore të negociatave”, tha Cooper.

Sipas tij, të dy vendet kanë interes të arrijnë besimin në Europë, në rajon dhe në marrëdhëniet ndërmjet tyre.

Ndërmjetësi evropian e cilësoi të vështirë arritjen e marrëveshjeve mes Serbisë e Kosovës.

Ai u shpreh se “as marrëveshjet e tanishme dhe as ato që do të arrihen më vonë nuk do të kenë ndikim në statusin Kosovës”.

mit/NOA

KOMENTE