Tiranë, 14 korrik 2011 NOA – Ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto tha sot se nuk ka asnjë incident diplomatik mes Shqipërisë dhe Rumanisë, pas sulmit të hakers pak ditë më parë. Pas një takimi me Drejtorin Ekzekutiv të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike z. Yukiya Amano, Haxhinasto iu përgjigj interesimit të gazetarëve lidhur me një lajm i cili dyshohet që është vepër e hakerave serbë, sipas të cilit, bëhet fjalë për një deklaratë ku presidenti i Rumanisë ofendonte shqiptarët.
“Marrëdhëniet midis Republikës së Shqipërisë dhe Rumanisë janë marrëdhënie shumë të mira, të cilat nuk cënohen as nga manipulimet mediatike, as nga shprehjet emocionale. Ka një komunikim shumë korrekt me Ambasadën dhe autoritetet rumune dhe unë do të vlerësoja se ai incident- e përsëris edhe njëherë- ishte çështje manipulimi mediatik dhe tashmë është tejkaluar”, ka sqaruar Haxhinasto.
Ndërkohë, kryetari i agjencise atomike tha se niveli i zbatimit të projekteve në Shqipëri është mbi 95%, çka tregon nivelin mjaft të lartë të kapaciteteve njerëzore dhe përkushtimin e njerëzve në Shqipëri për implementimin e tyre.
“Veçanërisht të suksesshme janë projektet në mjekësi, sidomos në kontrollin e sëmundjeve kancerogjene. Në takim diskutuam disa çështje me mjaft rëndësi siç është çështja nukleare, energjia bërthamore dhe tema të tjera me rëndësi”, tha Amano.
a.q/NOA