English

Thaçi: Dialogu gëzon mbështetje ndërkombëtare, Kurti: Serbia vend armik

Prishtinë, 14 korrik 2011, NOA- Në seancën e jashtëzakonshme parlamentare të mbledhur nga Kuvendi i Kosovës mesditën e sotme, kryeministri i vendit Hashim Thaçi u shpreh se, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.

Ky fjalim i Thaçit erdhi me kërkesën e opozitës, për bisedimet e filluara me Beogradin dhe konkluzionet apo marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij dialogu.

Kryeministri kosovar i ka cilësuar diskutimet si një obligim ndërkombëtar që rrjedh nga rezoluta e OKB-së, duke theksuar se ky dialog gëzon mbështetje ndërkombëtare.

“Dialogu do të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjes dhe qeveria e Kosovës do të vijojë me përgjegjësinë më të larë të kryejë obligimet e veta. Perspektiva evropiane e Kosovës është e qartë si kurrë ndonjëherë më parë. Kjo më është konfirmuar edhe nga baronesha Ashton. Perspektiva euroatlantike më është konfirmuar edhe nga zoti Bërns në Dubrovnik. Ky proces ka mbështetjen e plotë të të gjithë vendeve. Edhe Serbia do të ketë perspektivën europiane, por asaj i është bërë e qartë që nuk mund të pengojë rrugën e Kosovës drejt BE. Seria nuk do të bëhet pjesë e BE pa pranuar pavarësinë e Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Sipas tij, Kosova mund të ketë perspektivë vetëm nëse ndërton rend demokratik.

Në kundërpërgjigje lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti e cilësoi shtetin Serb si vend armik dhe jo fqinj.

Ai shtoi gjithashtu se Serbia ka elementë të diskriminimit të shqiptarëve, dhe se regjimi i këtij vendi ndaj Kosovës ka qëllime shfarosëse.

Mbajtja e kësaj seance të jashtëzakonshme erdhi pas propozimit të tre partive opozitare LDK, Vetëvendosje dhe AAK, sipas të cilave marrëveshjet e arritura nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

a.y/NOA

KOMENTE