Marty është prodhim i shishes serbe. I nxjerrë mu nga honi i ndyrë i propagandës, ai ka zbuluar sadizmin politik si kartën e fundme të një pensionisti për të marrë para të majme dhe bën avokatin e djallit
Arsim Rexhepi
Marty, Martinoviqi, e marta
1.
Nga ç`ka qenë vështirë në atë botë, ka qenë të qenit fëmijë dhe shqiptar. Fëmijë në një botë plotë rrugë të mbyllura, plotë hekur dhe dëbim. Dhe mbi gjithë këtë vetmi gëlonte një gënjeshtër e organizuar e atij shteti (në të cilin na kishin mbërthyer), për gjithçka që ishte shqiptare, për gjithçka që ishte jona.
Përnjëherë u shndërruam në shkatërrues varresh, nga ata që kishin kryer punë me të gjallët dhe tani po i suleshin botës së përtejme; thuaja se kishim prirje për nekrofili, sa të rrinim si komb nis e sos rreth gurëve të vdekjes serbe. TV-të zyrtare të jepnin një reliev dëmtimi psikik kolektiv, dhe të shpërfaqnin sikur një lukuni vampirogjene që qetësi gjente veç në mermerin e përmbysur të varreve serbe.
Vite më vonë, gjatë studimeve, kam qenë i sfiduar në seminarin për Letërsinë e H. P. Lovecraft, duke ndjerë rëndesën e fëmijërisë se si më shtjellohej para sysh, me gjithë atë mjegull të trishtë të asaj bote plotë Vushtrri, plotë ankth dhe plotë vullnet varresh të atij shteti.
Fëmijëri e lemerisur ka qenë. Zgjohesh në mëngjes dhe dëgjon radion... Prapë shqiptarët kanë dëmtuar varre serbësh. Prapë kazma dhe kthetrat e natës iu paskan sulur tokës së trembur të tregimeve me bishat shqiptare dhe me bukuroshet e varreve të të tjerëve.
Fëmijëri e jetuar në një gënjeshtër shtetërore, që prodhonte hone hiçi ku po bulonte pema e zezë e urrejtjes, fara e gjenocidit.
Kurrë s`u gjetën ato duar të padukshme që copëtonin mermerin e vdekjes, por tregimet mbetën: Serbia po shërbehej me çdo mekanizëm, edhe fiktiv, vetëm e vetëm që mozaiku i propagandës së saj kundër shqiptare të dilte sa me komplet. Tregimi i saj i shërbeu luftës.
Çdo ditë ka qenë e martë në atë botë, me orë te liga në mes.
2.
Aq kreativë kanë qenë serbët, saqë programatika e nacionit të tyre është shërbyer edhe me bythët e kombit. Arsenali i perfiditetit të tyre nuk ka njohur kufij: kryegjëja ishte që të tjerët të dilnin sa më kriminelë, sa më satanikë. Dhunuesit e femrave serbe, nënave serbe, sikur edhe varrprishësit, duhej të ishin shqiptarë. Por, veç grash të shenjta serbe, duke mos u mjaftuar me to, shqiptarët u sulën të dhunojnë edhe ... burra serbë. Dhe, ndonëse të njohur gjithandej për punërat e fallusit, ata, shqiptarët pra, kur ky organ me nam nuk po u kryente punë deri në fund, dolën të shërbeheshin me imagjinatën e tyre luçiferore dhe zbuluan shishet për t`i shpuar bythët e pafajshme serbe.
Tregimi për Martinoviqin është perla e marrëzisë serbe. Dhe më gjerë. Nuk di ndonjë shtet që është shërbyer me më shumë thesar sajesash dhe i ka shndërruar ato në organikë të përditshmërisë së tij politike. Përndryshe, si të shpjegojmë që duhej mbledhur gjithë Komiteti komunist për të diskutuar bythën e gjorë të Martinoviqit?! Ja tek i shoh të diskutojnë me aq vullnet nopran për një shishe dhe për një bythë, një shtet i tërë.
Ne jetonim në njëfarë kiazmi absurd: e dinim se ishim të pafajshëm, ndërsa të gjithë na shikonin si dreqin. Shenjat dhe kuptimet ishin zhvendosur plotësisht, dhe serbët (që ishin dreqi vetë në sajesa!), shfaqeshin si viktimat tona, mbi të cilat ne s`po ngopeshim dot në orgjinë e shfrenimit tonë patologjik.
Dihet, Martinoviqi, vuri bythën e tij si medaljon mbi gjoksin e popullit serb. Gënjeshtra e tij dhe e aparatit propagandistik serb u zbulua shpejt, dhe doli se serbi, në mungesë dylberësh, kishte zgjedhur një mënyrë pak më të harlisur për t`i shërbyer gropës: kishte marrë një shishe qelqi të Coca -Cola-s (që zakonisht, gjatë historisë më të re të njerëzimit, shërbehen në gojë!!) dhe ishte ulur mbi të. Dhe shishja me një mekanikë të papritur kishte penetruar aq thellë sa nuk po dilte më. Sigurisht nga britmat e sadizmit kanë ardhur familja njëri pas tjetrit, sikur në tregimin për rrepin, për të nxjerrë nga humnera e patologjisë qelqin kryeneç.
(Haj medet, në ç`ditë kemi ardhur?! Të merremi me kujtime për... nejse!)
Kjo është Serbia: shishja në bythën e Martinoviqit. I ndërron vetëm format, edhe sot. Hedh jargë gjithandej nëpër botë për të shndërruar vetën në viktimë.
3.
Marty është prodhim i shishes serbe. I nxjerrë mu nga honi i ndyrë i propagandës, ai ka zbuluar sadizmin politik si kartën e fundme të një pensionisti për të marrë para të majme dhe bën avokatin e djallit.
Marty është nepërka e dalë nga shishja e magjisë së zezë serbe. Njësoj siç bëjnë me lepurin magjistarët ordinerë, propaganda serbe e ruse nxori Marty-n dhe tregimin për organet, grabitjet dhe drogën. Asnjë lexues mesatar nuk bie në kurthet lakuriqe të konstruksioneve të tilla: thjeshtë nuk kursehet asgjë për të njollosur një popull, elitën e tij të Lirisë, vetëm e vetëm që të bastardohet edhe ideja për çlirimin dhe viktima të kthehet në kanibal.
Liria është produkt i idealizmit, mbi bazën e tij janë çliruar dhe krijuar shoqëritë avangardë. Fatkeqësisht në kontekstin Marty përdhoset idealizmi, bashkë me lirinë. Për më tepër ky raport është tyta e zgjatur e gjenocidit serb, atributi i tij në letër. Dhe atë që aparati serb nuk kishte patur mundësi ta bënte deri në fund (demonizimin e idesë për liri të shqiptarëve), mëton tash ta materializojë një fushatë përdhosëse e një zvicerani donkishotesk.
Vënia në një rrafsh e idesë për shfarosje me idenë për lirinë, semantika e hamendjeve që artikulohet në tekstin e Marty-it, është terror ndërkombëtar, është gazi i helmët në mëngjes të Lirisë sonë. Armiqtë e bëjnë punën e vet, por nga ç`dhembë më shumë është heshtja e miqve,e gjithë atyre njerëzve që e dinë se ky raport nuk është kundër një kryeministri eventual të Kosovës, por kundër popullit të saj, kundër humanizmit dhe pa kursim.
Një mik i ngushtë imi, Luftëtar Lirie, më tha para do ditësh, se duke lexuar atë raport të skëterrshëm, madje edhe gruaja e tij i ishte bërë sikur po e shikonte me habi dhe dyshim.
Kaq larg pra, deri në nënkresat e kësaj pak qetësie që krijuam me gjak, ka shkuar psikoza dhe terrori ndërkombëtar kundër Kosovës i udhëhequr nga ky Marty i *utit.
* Dërguar nga autori, pikëpamjet janë personale