English

Energjia bërthamore, Topi: Mbështesim çdo projekt në të ardhmen

Tiranë, 15 korrik 2011 NOA – Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Jukia Amano, i cili po zhvillon një vizitë pune në vendin tonë. Sipas zyrës së shtypit të presidencës, kreu i shtetit theksoi rëndësinë e bashkëpunimit shumëvjeçar, si dhe partneritetin e suksesshëm midis Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore dhe vendit tonë, bashkëpunim i cili daton që në vitin 1957, kur Shqipëria u bë anëtare e saj.

Duke vënë në pah rolin e vyer të zotit Amano në drejtimin profesional të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Kryetari i Shtetit nënvizoi kontributin e madh që kjo qendër shkencore e humane po vijon të japë në fushat e sigurimit, sigurisë, çarmatimit, për shëndetin njerëzor, por dhe për bujqësinë. Duke theksuar se këto sfida mbeten të rëndësishme për Shqipërinë, sidomos për plotësimin e standardeve të saj bashkëkohore, Presidenti Topi shprehu “mbështetjen e plotë të shtetit shqiptar edhe për projekte të tjera të Agjensisë në të ardhmen”. Drejtori i Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Jukia Amano, vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm me vendin tonë dhe përkushtimin e strukturave shtetërore shqiptare, si dhe siguroi Kreun e Shtetit për mbështetjen e organizatës që drejton në të gjitha nismat e projektet e Shqipërisë për përmirësimin e e mëtejshëm të të gjithë sistemit shëndetësor e kërkimeve shkencore.

a.q/NOA

KOMENTE