English

Jemi në gjysmë të rrugës

Më duhet t’ju them se në këtë grup ne sërish jemi në gjysmë të rrugës për të kapur vendet me të ardhura të larta, jemi një inch me shumë ose më pak se gjysma. Na duhet një realizëm i madh dhe duhet të pranojmë se, më shumë se çdo vend, kemi nevojë të investojmë në arsim, kemi nevojë të rendim pas cilësisë

Nga Sali Berisha

Sistemi i arsimit të lartë është një nga sistemet që ka pësuar ndryshimet më të mëdha dhe që është përballur me vështirësitë më të mëdha. Ne vijmë nga një periudhë, nga e cila në një hark të shkurtër kohor programet dhe degët janë shumëfishuar me dhjetëra herë dhe kjo përbën një meritë të madhe tuajën.

Natyrisht, shumë më tepër janë shumëfishuar kërkesat e tregut. Ne vijmë nga një periudhë kur në një hark të shkurtët kohor, ndoshta si në asnjë vend tjetër, 5 - 6 vjeçar ne, pothuajse, trefishuam numrin e studentëve në universitetet tona. Dhe unë nuk mund të them se qeveria trefishon të gjithë detyrimet e saj ndaj jush ose përmbushi çdo detyrim që rrjedh ndaj jush.

Ju me kapacitetet tuaja, me përkushtimin tuaj, bëtë të mundur që Shqipëria në rrafshin sasior të arrijë disa objektiva ambicioze dhe që duhej t’i arrinte. Besoj se jemi të gjithë në një mendje se për të ardhmen e sistemit tonë universitar, për të ardhmen e këtij vendi, nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa rendja pas cilësisë, sesa gara e cilësisë në universitetet tona.

Kjo është gara më e vështirë, e cila kërkon mundime të shumta dhe potenciale të reja. Kjo garë është vendimtare në realizimin e projektit “Shqipëria vend i zhvilluar”. Shqipëria duhet të jetë dhe duhet të bëhet një vend i zhvilluar.

Në qoftë se marrim ecurinë e saj këto njëzet vite, me gjithë problematikën, ajo si asnjë vend tjetër ia ka dalë të dhjetërafishojë të ardhurat për frymë, të shkëputet nga vendi i grupeve me të ardhurat më të ulëta në planet dhe të vendoset në grupin e vendeve më të ardhura të mesme të larta.

Më duhet t’ju them se në këtë grup ne sërish jemi në gjysmë të rrugës për të kapur vendet me të ardhura të larta, jemi një inch me shumë ose më pak se gjysma. Na duhet një realizëm i madh dhe duhet të pranojmë se, më shumë se çdo vend, kemi nevojë të investojmë në arsim, kemi nevojë të rendim pas cilësisë.

Ky proces që nisi është një hap shumë i rëndësishëm, pa pretenduar të jetë i përsosur, është një hap i domosdoshëm. Në garë ka tregues dhe objektiva të cilat duhet t’i pranojmë. Sot ekonomia botërore, ekonomia e disa vendeve, ndodhet në situatat më kritike. Tre kompani rating-u, Fitch, Moody’s, Standard & Poor, japin verdikte periodike për këto ekonomi. Verdiktet e tyre janë limituese për kancelaritë. Ka dhe reagime ndaj tyre, por në fund të fundit ekonomistët janë këtu. Absolutisht, deri tani ata kanë qenë të saktë në parashikimin e tyre. Mora këtë shembull sepse, pavarësisht se ne ndjehemi dhe duhet të ndjehemi të lirë në lirinë tonë akademike, pavarësisht se ne ndjehemi dhe duhet të ndjehemi të lirë në autonominë tonë universitare, ne detyrimisht duhet tu nënshtrohemi vlerësimeve periodike. Ky është një hap i parë. Juve përket ju në një angazhim serioz ta përmirësojmë, por ta bëjmë këtë një konstante periodike të veprimtarisë sonë. Ne duhet të kemi sistemin e renditjes. Asnjë cilësi nuk është një herë e përgjithmonë e dhënë. Po të ndiqni Pisa-n, ju shihi se si lëviz pozicioni i saj në vlerësimet që bëhen në grupin e vendeve të OECD-së.

Përpjekje shumë më të mëdha do të bëhen për t’ju mbështetur ju. Por duhet të biem dakord se cilësia si kushtin më vendimtar ka lirinë akademike. Liri akademike do të thotë mosndërhyrje e qeverisë në universitete. Unë ju garantoj ju se qeveria është e gatshme dhe e vendosur të konsolidojë qëndrimin më të hapur ndaj jush. Ky është vetëm njëri aspekt. Liria akademike e rektorit mund të cenohet nga ministri, ndonëse nuk duhet të cenohet në asnjë mënyrë, por liria akademike e dekanit mund të cenohet nga rektori. Kur flitet për lirinë akademike, flitet për lirinë akademike të pedagogut. Pa lirinë akademike të pedagogut, lirinë e tij të kërkimit, të debatit, ky koncept, ky nocion, kjo shtyllë kryesore erozohet çdo ditë. Ne mund të angazhojmë fondet më të mëdha, mund të ndërtojmë kampuset më të bukura, por ne së bashku duhet të ndërtojmë dhe konsolidojmë si kusht themelor për një cilësi tjetër lirinë akademike të universiteteve tona. Studiuesit, shkencëtarët, akademikët, të gjithë këta janë njerëz që punojnë me modele. E tërë jeta e tyre është jetë mbi modelin. Mençuria dhe aftësia e tyre është të braktisin modelet që nuk funksionojnë. Për këtë nuk kërkohet asgjë tjetër përveç realizmit, vështrimit me realizëm të modelit që ke përpara. Universitetet duhet të gëzojnë autonominë e tyre. Ka një ligj dhe ky ligj amendohet, në çdo nen, në mënyrë që të garantojë autonominë tuaj të plotë. Kjo është e domosdoshme. Natyrisht që edhe liria akademike edhe autonomia universitare kanë një kërkesë, një kusht: përgjegjshmërinë. Ju e keni atë. Ju jeni studiuese dhe studiues, me një jetë të tërë aktiviteti shkencor, pedagogjik, edukativ, dhe jam i bindur se progresi që keni bërë deri më sot është i admirueshëm. Tani në këtë rrugëtimin tonë të përpjetë, se që vendin ta bëjmë një vend të zhvilluar është ngjitje, do të gjeni të gjitha modelet, modalitetet, instrumentet, mjetet që të ecim me sukses dhe ta ngjisim këtë vend në grupin e atyre vendeve që e meriton të jetë.

KOMENTE