English

Koçi: Kthesa e PS për ndryshimet kushtetuese, lajm i shumëpritur

Tiranë, 15 korrik 2011, NOA- Kryetari i PSV ‘91 Petro Koçi ka përshëndetur kthesën e shumëpritur të Partisë Socialiste në qëndrimin ndaj ndryshimeve kushtetuese të 21 Prillit 2008.

Ai e ka cilësuar këtë kthesë si një lajm shumë të rëndësishëm për bashkimin parimor të së majtës rreth interesave qytetare për demokraci dhe për të ardhmen europiane të vendit.

Sipas tij, projekti për të reformuar kushtetutën dhe raportet mes institucioneve kryesore të shtetit si edhe raportin e qytetarit me politikën e kthen opozitën në timon të udhëheqjes politike të shoqërisë e të vendit.

“Me manipulimin arrogant të rezultatit të zgjedhjeve të Tiranës Berisha rrëzoi jo vetëm marrëveshjen e dikurshme për Kodin Zgjedhor, por automatikisht edhe atë për ndryshimet kushtetuese të 21 Prillit 2008. Kjo shënon rënien e dhe konsumimin e llojit të Republikës së ndërtuar në këto vite pluralizmi. Ndërtimi i një Republike të Re, në vlerësimin e PSV përbën rrugën e bashkimit të energjive politike progresiste të spektrit politik dhe të vetë shoqërisë drejt zhvillimeve evropiane”, thuhet në deklaratën e Petro Koçit.

Më tej ai ka theksuar faktin se dialogu i pritshëm pozitë- opozitë tashmë do të kushtëzohet me konsensusin e detyrueshëm të Partisë Demokratike për të votuar Reformën e Shtetit dhe të Demokracisë të projektuar e propozuar nga opozita.

NOA

KOMENTE