English

Megaskandali i klonimit elektoral në listat e Tiranës

Nga Andrea Stefani

Shpërthen përsëri skandali i falsifikimit të listave të votuesve nga zyrat e gjendjes civile, i denoncuar nga Gazeta “Shqip” në prag të votimeve të 8 majit. Gramoz Ruçi, kryetar i grupit parlamentar të PS-së ka denoncuar publikisht prezencën e mijëra votuesve fantazmë në listat zgjedhore. Dhe ndryshe nga dublimet klasike, në këtë rast kemi të bëjmë me falsifikim të qëllimshëm. Sepse votues, madje familje të tëra, janë vendosur nga dy herë në listat e zgjedhësve duke ju ndryshuar vetëm datëlindjen dhe vendbanimin, komunën dhe bashkinë. Ashtu sikundër kishim denoncuar edhe në një shkrim më të hershëm, s’bëhet fare fjalë për pasaktësi apo dublime që janë të vështira të qërohen. Tashmë është opozita që akuzon se burokracia e shtetit, përkatësisht zyrat e gjendjes civile nën vartësinë e Ministrisë së Brendshme, janë angazhuar në kryerjen e një falsifikimi që synon t’i japë mundësi votimi të dyfishtë disa prej mbështetësve të pushtetit. Dhe ndërsa gatuhej ky mekanizëm vjedhjeje, në krye të Ministrisë së Brendshme ka qenë pikërisht Lulzim Basha. Pas skandaleve të Rrëshen-Kalimashit, faljes së ujërave detare Greqisë, vrasjes së demonstruesve në 21 janar, si dhe një sërë mashtrimesh të tjera si ai i pasaportës amerikane, Basha gjendet përsëri në kokën e një skandali tjetër për vjedhjen e votës me anë të një falsifikimi, që i ngjason një lloj klonimi zgjedhor. Dhe rruga e shpëtimit nga diktatura e hajdutërisë që po tenton të instalohet është jo vetëm denoncimi dhe ndëshkimi i këtij krimi elektoral nga organet e zbatimit të ligjit.

* * *

E kemi thënë me kohë se emërimi nga Kryeministri Berisha i Lulzim Bashës në krye të Ministrisë së Brendshme ka qenë pikërisht ndërtimi në fshehtësi i një mekanizmi të vjedhjes së votave për të marrë “kalanë” e kryeqytetit. Gjurmët e manipulimit që po shfaqet tregojnë se Basha nuk e ka humbur kohën kot. Ato njëherazi konfirmojnë se sa i qartë është Berisha për mungesën e mbështetjes nga shumica e shqiptarëve, mungesë që përpiqet ta kompensojë me mitingje pakicash ulëritëse dhe propagandë “fitoreje” të rreme. Provojnë gjithashtu, se kryeministri është i ndërgjegjshëm që mund ta avancojë pushtetin e tij vetëm me falsifikim të votës. Por falsifikimi i listave, i denoncuar së fundmi edhe nga PS-ja, i jep kuptim edhe thirrjeve që lëshonin berishistët (mjerisht të mbështetura qorrçe edhe nga OSBE-ja dhe ambasadori Wolfarth) për pranimin e rezultatit të zgjedhjeve!

Nuk është fjala vetëm për akuza politike apo si i pëlqen t’i quajë Berishës, për “fjalë kazani”. Faktet janë kokëforta. Kohë më parë kishim denoncuar në faqet e “Shqip” se, vetëm në Tiranë janë zbuluar rreth 8 mijë zgjedhës të dubluar me anë të një falsifikimi kriminal, domethënë, të ndaluar nga ligji dhe të penalizueshëm. Më konkretisht, rreth 4 mijë zgjedhës figuronin në listat e votimit nga dy herë pra, edhe në një komunë, edhe në një minibashki të Tiranës. Kishte të tjerë që figuronin edhe në një bashki tjetër, edhe në ndonjë komunë apo minibashki të Tiranës. Dhe bëhet fjalë për të njëjtët njerëz në emër, mbiemër dhe emër atësie. Por në shumicën e rasteve kanë të ndryshuar vetëm datëlindjen, ose në raste më të rralla, edhe atësinë që siç dihet, nuk pasqyrohet në kartën e identitetit. Në listat e prodhuara nga dikasteri që drejtohej nga Basha, konstaton persona që kanë jo vetëm emra dhe mbiemra të njëjtë, por edhe emra të njëjtë baballarësh. Një dorë ka ndryshuar datëlindjen e këtyre personave për t’i bërë të shfaqen në lista si votues edhe në një vend tjetër. Por sipas deklarimeve të Ruçit, hetime më të thelluara të PS-së denoncojnë shifra edhe më të mëdha të falsifikimit të listave. Tashmë bëhet fjalë për rreth 10 mijë dublime me elementë falsifikimi vetëm në listat e Tiranës. Duket se ndërsa premtonte dhe propagandonte se po pastronte listat nga dublimet (gjë që e bëri edhe ambasadorin e OSBE-së, Wolfarth të deklarojë naivisht se tashmë kemi lista më të sakta), pushteti berishist, në fshehtësi, i falsifikonte ato. Por nuk është e para herë që Berisha bën të kundërtën e asaj që premton. Ndërkaq, në listat mashtruese gjen familje si të klonuara. Kjo do të thotë që anëtarët e një familjeje (babai, nëna, djali, vajza etj) shfaqen votues në listat e një komune të Tiranës dhe po kjo familje, me të njëjtët emra prindërish e fëmijësh, por me datëlindje të ndryshuara paksa (me sa duket që të mos kapet nga sistemi elektronik), janë votues edhe në listat e një prej minibashkive të Tiranës. Dhe sa probabilitet ka që në dy familje të ndryshme, babai të ketë emër, mbiemër dhe atësi të njëjtë me babanë e familjes së ngjashme? Po kështu, edhe nëna të ketë po të njëjtin emër, mbiemër, madje edhe atësi me nënën e familjes tjetër, madje të ketë të përbashkët me të edhe emrin e burrit?! Ndërkaq, çiftet e dy familjeve të ngjashme kanë, sipas rastit, djem, vajza, xhaxhallarë, madje dhëndurë dhe nuse me emra të njëjtë! Pra, kemi familje që i ngjajnë njëra-tjetrës si portokalli-portokallit. Është e qartë se nuk kemi të bëjmë më me rastësira të çuditshme, por me një “domosdoshmëri” të ardhur nga një klonim elektoral apo më saktë, nga një falsifikim ekstremisht kriminal. Sepse është infektimi i gjeneve të demokracisë me virusin e vjedhjes. Asnjë shtetar normal nuk do guxonte ta infektonte sistemin e votimit me një virus të tillë rrënues. Falsifikimi është aty dhe mund të verifikohet edhe sot e kësaj dite. Mjafton të hysh në internet në listat e publikuara nga Ministria e Brendshme. Mos vallë ndërsa premtonte zgjedhjet më të ndershme në historinë e Shqipërisë, Kryeministri Berisha përgatiste një falsifikim të paparë, që mund të cilësohet vetëm si një gangsterizëm elektoral?

* * *

Janë të pafundme “mrekullitë” që mund të gjesh në listat e Tiranës. Na mbetet vetëm të përsërisim se skandali i klonimit elektoral, i denoncuar nga gazeta prej kohësh në “Shqip” dhe i ringjallur sot nga Gramoz Ruçi, tenton të bëjë të kuptohet se Sali Berisha, dhunuesi i zgjedhjeve të 6 majit rreth 15 vjet më parë, është i vendosur për të mos lejuar zgjedhje të ndershme në Shqipëri. Premtimet për zgjedhje “të ndershme” që Berisha lëshonte ndërsa vërdallosej si ciklon destruktiv nëpër Shqipëri, ishin taktikë edhe për të mashtruar ndërkombëtarët, gjë që duhet ta themi me dhimbje, e ka arritur jo pa sukses. Kjo duket ka bërë që edhe ambasadorë si Sequi apo Wolfarth të nxitojnë për t’i sugjeruar opozitës pranimin e rezultatit të zgjedhjeve. Por do të qe miopi politike të ushqesh iluzione në vullnetin e mirë të politikanëve të denoncuar prej vitesh si autokratë. Një qeveri që nuk e mbajnë nervat dhe për frikë vret qytetarët në demonstratë, e ka të pamundur ta bazojë pushtetin në zgjedhje të ndershme. Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e botës që një pushtet demokratik të votohet në shumicë pasi ka vrarë demonstruesit. Vetëm pushtetet diktatoriale, autokratike, që arrijnë të vrasin me plumba opozitarizmin votohen në shumicë, madje 99.999%. Ata i voton frika dhe jo liria”! Por Berisha, fatmirësisht, nuk ka arritur ta vendosë akoma diktaturën e dytë, atë post-komuniste, në Shqipëri. Prandaj i duhet ende “demokracia”, zgjedhje “të ndershme” e “të lira”, për të justifikuar edhe krimet më të rënda qeverisëse, me votën e “popullit”. Kërkon të lajë krimet dhe korrupsionin qeverisës, që tashmë janë sheshit, me një tjetër krim zgjedhor, sikundër është falsifikimi i listave dhe krejt zgjedhjeve. Dhe nuk është e para herë që një krim kërkon të mbijetojë duke u zhytur në një tjetër krim. Dhe Shqipëria nuk do mund të dalë nga këneta e kriminalizimit të zgjedhjeve, ku jo rastësisht është zhytur prej 20 vjetësh, nëse drejtësia nuk ndëshkon sipas ligjit vjedhjen e votës. E nëse edhe gjykatësit janë blerë, sikundër akuzon Ruçi, atëherë nënshtrimi i shqiptarëve para diktaturës së votës së vjedhur nuk është një opsion. Këtë duhet ta harrojë Berisha! Edhe sikur jo ambasadorët Wolfarth apo Sequi, por e gjithë bota ta cilësojë atë nënshtrim prej skllavi si një etikë ndaj “shtetit ligjor” që në fakt, vetë Berisha e ka vrarë.

*Pikëpamjet dhe faktet e pretenduara në shkrim, janë qëndrim dhe përgjegjësi ekskluzive e autorit. Botuar në gazetën "Shqip".

KOMENTE