Në vitin 1991, kur ne erdhëm për herë të parë në këtë sallë, gjetëm këtu një mikrofon të vetëm. Ishte fytyra e regjimit, ishte simboli i regjimit, ishte simboli i diktaturës. Kjo sallë u transformua gradualisht; kjo sallë u zhvillua gradualisht; u transformua së bashku me ndryshimet demokratike të zhvillimit të Shqipërisë; u transformua dhe u zhvillua së bashku me ne
Nga Tritan Shehu
Projektligji që ne po miratojmë është simbolik, ka të bëjë me simbolet, ka të bëjë me fytyrën, ka të bëjë me imazhin, ka të bëjë me themelet e një vendi. Unë mendoj se në këtë mënyrë ne duhet ta projektojmë këtë çast për këtë vendim dhe votim historik që do të ndërmarrim në Parlamentin shqiptar, për t’i dhënë Shqipërisë jo një godinë të thjeshtë, jo një sallë të thjeshtë, por fytyrën e saj të vërtetë, djepin e demokracisë, djepin e aspiratave të intelektualëve, të patriotëve, të të gjithë atyre që kanë menduar dhe kanë aspiruar për një Shqipëri të lirë, demokratike, me një fizionomi europiane.
Parlamenti është fytyra e një vendi. Çdo popull i qytetëruar, çdo popull, i cili ka aspiruar në vlera; çdo popull, i cili është futur në rrugën e demokracisë, hapin e tij të parë që ka bërë ka qenë pikërisht ndërtimi i këtij tempulli, ndërtimi i këtij djepi, ndërtimi i parlamentit në vendin ku diskutohet, gjykohet, debatohet, vendoset. Kjo nuk ka ndodhur vetëm sot, kjo ka ndodhur në historinë e njerëzimit, kjo ka ndodhur që nga grekët e lashtë, që nga romakët e lashtë, pra, kjo ka ndodhur atje ku ka qenë djepi i demokracisë botërore, nga e cila kemi përfituar të gjithë. Parlamenti është fytyra e një vendi. Parlamenti ka qenë, fatkeqësisht, fytyra e shëmtuar e Shqipërisë në vitet e komunizmit.
***
Në vitin 1991, kur ne erdhëm për herë të parë në këtë sallë, gjetëm këtu një mikrofon të vetëm. Ishte fytyra e regjimit, ishte simboli i regjimit, ishte simboli i diktaturës. Kjo sallë u transformua gradualisht; kjo sallë u zhvillua gradualisht; u transformua së bashku me ndryshimet demokratike të zhvillimit të Shqipërisë; u transformua dhe u zhvillua së bashku me ne.
Tashmë ka ardhur momenti që në kohët e reja, në mundësitë e reja të mëdha dhe gjigante të vendit, në forcën e re të madhe të vendit, të demokracisë, në forcën e re ekonomike të vendit, Shqipëria të ketë një godinë të re, simbol të saj, Parlamentin e saj unik, jo të shpërbërë, të plotë, funksional që të paraqesë pikërisht forcën e demokracisë sonë, vizionin e demokracisë sonë, vlerën e demokracisë sonë.
Shqipëria nuk është ajo që ka qenë vite përpara. Shqipëria tashmë ka marrë të tjera dimensione. Shqipëria është një vend që ndërton autostrada të mëdha, rrugë të mëdha; Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, kryen misione të mëdha në botë. Misioni për të cilin do të votojmë sot është nga më të mëdhatë, sepse në tempullin e demokracisë merren vendimet e mëdha, në tempullin e demokracisë hapen rrugët e mëdha, dhe pa tempullin e demokracisë nuk ka zhvillime të mëdha.
Prandaj, çdo kritikë që i bëhet sot këtij vendimi nga ata që nuk janë në këtë sallë, nga ata që mungojnë për arsyet e tyre krejtësisht irracionale dhe të gabuara, unë mendoj se lidhet ose me kritika me një background të plotë politik, me një nihilizëm të plotë të asaj që ne bëjmë, por që shprehin mentalitete të kaluara në kohë, të cilat lidhen pikërisht me atë kohë, kur kjo sallë kishte vetëm një mikrofon, kishte vetëm një zë, kishte vetëm një fytyrë.