English

PD: Akuzat e Ramës, për të shuar pikëllimin e humbjes

Tiranë, 15 korrik 2011, NOA- Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses së saj Albana Mustafaraj reagoi lidhur me akuzat e socialistëve dhe kreut të saj Edi Rama, për trupën e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor.

Gjatë fjalës së saj zëdhënësja e bluve tha se, Edi Rama akuzoi dje gjatë ditës disa herë për korrupsion gjykatësit e Kolegjit, për vendimin e tyre me të cilin hodhën poshtë kërkesën dhe përpjekjen mjerane të tij për t’i rrëmbyer fitoren kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës.

Më tej ajo shtoi, “Sot për të ngushëlluar veten për disfatën e merituar personale që i rezervuan më 8 maj qytetarët e Tiranës, z. Rama në mediat e tij ndërmerr sulmin e radhës e të paskrupullt ndaj familjarëve të Kryeministrit dhe konkretisht ndaj vajzës së tij, e cila sipas Ramës paska shpërndarë nga zyrat e saj milionat e ryshfetit të gjyqtarëve”.

Në emër të Partisë Demokratike Mustafaraj ajo e cilësoi këtë lumë akuzash si serinë e re të sulmeve, shpifjeve me të cilat Rama ushqen veten dhe përpiqet të shuajë pikëllimin e thellë shpirtëror për humbjen e 4 garave me 10909 vota më 8 majTiranë.

“Partia Demokratike i rikujton z. Rama se ndëshkimi me 4 gara dhe 10909 vota ishte para së gjithash përgjigja e qytetarëve ndaj moralit të shpifjeve, trillimeve e sulmeve personale ndaj kundërshtarit politik dhe familjarëve të tij”, deklaroi zëdhënësja e bluve.

Në përfundim ajo tha se Partia Demokratike mendon se është tërësisht e panevojshme ndonjë gjë tjetër, veçse të përshëndesë me mirënjohje të thellë të gjithë qytetarët e Tiranës që në 4 garat dhe 8 maj, firmosën me 10909 vota më shumë fitoren e “Aleancës për Qytetarin” dhe lanë në dëshpërimin e madh të shkuarën e vetmisë së thellë moralin e përbaltjes, shpifjes e mashtrimit.

Reagimi i selisë blu erdhi pasa akuzave nga ana e Partisë Socialiste se trupa e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor kishte marrë miliona euro për shpalljen e Lulzim Bashës si fitues i Bashkisë së Tiranës.

a.y/NOA

KOMENTE