English

Burns: Retorika për ndarjen e Kosovës nuk i shërben integrimit të Serbisë

Uashington, 16 korrik 2011, NOA – Nënsekretari amerikan i shtetit William Burns deklaroi se arrestimi kohët e fundit i Ratko Mlladiçit, flet mjaft për angazhimin e Serbisë ndaj drejtësisë.

Burns theksoi se “Shtetet e Bashkuara po presin arrestimin e personit të fundit të akuzuar për krime lufte, Goran Haxhiç, i cili ende ndodhet në arrati. Kur ai të përballet me drejtësinë në Hagë, Serbia do të ketë përmbushur edhe detyrimet e saj të mbetura ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë”, citon Koha ditore Zërin e Amerikës.

Zyrtari amerikan nënvizon se bashkëpunimi i vazhdueshëm me Gjykatën e Hagës dhe reformat e brendshme do ta bëjnë Serbinë një kandidate të fortë për Bashkimin Europian.

Por, këtu Burns thotë se sfidë për t'u anëtarësuar në BE është edhe pajtimi me realitetin në Kosovë.

SHBA mbështet fuqishëm dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës dhe mirëpret marrëveshjet e para të arritura.

“Le të jemi të qartë”, tha nënsekretari Burns, “nuk ekziston asnjë mënyrë e mundshme për ripërcaktimin e kufijve në këtë rajon në bazë të linjave të pastra etnike. Në qoftë se një proces i tillë vihet në lëvizje, atëherë ai kurrë nuk do të mund të ndalet në një kufi të vetëm në Ballkan dhe nuk do të përfundojë kurrë në mënyrë paqësore. Çdo retorikë që bën thirrje për ndarjen e Kosovës dhe që vë në pikëpyetje aftësinë e njerëzve të etnive të ndryshme për të jetuar së bashku, është e dëmshme për pajtimin rajonal dhe nuk i shërben synimit strategjik të Serbisë për integrim evropian”, tha Burns.

Ai argumentoi më tej se bashkëpunimi rajonal dhe integrimi europian janë themelet e një të ardhmeje më të fortë për Serbinë dhe për rajonin e Ballkanit.

Koha ditore/NOA

KOMENTE