Stamboll, 16 korrik 2011, NOA – Nga Turqia ku ndodhet për një vizitë zyrtare, Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton shprehu shqetësimin për situatën e tensionuar në Siri, për të cilën tha se nuk mund të ndikohet nga jashtë.
Duke folur për CNN-Tuerk, zonja Clinton shprehu preokupimin e saj për çka ndodh në këtë vend të Afrikës veriore.
“Askush prej nesh nuk ka influencë të vërtetë në Siri, përveç faktit që ne mbështesim, besojmë dhe inkurajojmë ndryshimet politike në vend” u shpreh sekretarja amerikane.
Kryediplomatja amerikane theksoi se ajo që po ndodh në Siri është tejet shqetësuese, pasi siç tha, shumë prej autoriteteve të komunitetit ndërkombëtar kishin shpresuar se presidenti sirian Assad do të kryente reformat e nevojshme.
Ndërkohë që Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton ndodhej në Stamboll në qytet nisi Konferenca për rimëkëmbjen Kombëtare me pjesëmarrjen e 300 kundërshtarëve sirianë të regjimit të presidentit Bashar al Assad.
Ata u mblodhën për të diskutuar mënyrat për largimin e qeverisë dhe strukturimin e opozitës siriane.
Sekretarja amerikane e Shtetit e komentoi këtë konferencë si përpjekje e opozitës siriane për t’u bashkuar e organizuar dhe për të hartuar një program të qartë si element i rëndësishëm i reformës politike.
Dje më shumë se 1 milion vetë protestuan kundër regjimit të presidentit Bashar al Assad, regjimi i të cilit i ka kushtuar jetën 41 protestuesve.
mit/NOA