English

Këshillat e politikave të këqija

Nga Fatos Lubonja

Sikur të isha këshilltar politik i Sali Berishës e të më kërkonte një mendim në të mirë të PD, se si duhej të sillej me krizën që u krijua në Tiranë, këshilla ime do të ishte pak a shumë kjo: më vjen keq për Lulzim Bashën, por është më mirë t’i lihet Bashkia e Tiranës me dhjetë vota Edi Ramës, sepse në këtë mënyrë sipas meje, PD fiton më shumë sesa humbet. Së pari, çka është kryesorja, pranimi i humbjes, qoftë edhe për dhjetë vota, do të tregonte se sa e drejtë është kjo maxhorancë; ajo do të merrte pastaj një vlerësim tejet pozitiv për sa i përket procesit zgjedhor që do të gjykohej në standarde të larta e do të kishte një shpërblim të madh kombëtar e ndërkombëtar. Së dyti, kjo do të ishte një goditje shumë e rëndë për opozitën, për politikat e saj destruktive të ndërtuara mbi gjoja vjedhjen e votës në 2009-n, duke bërë që ajo fushatë dyvjeçare të kthehej në bumerang për Edi Ramën. Së treti, opozita do të kishte në krye të saj një kryetar partie që përsëri pas dy vjetësh do të ishte i ndarë midis aspiratës për deputet e kryeministër dhe asaj për të mbetur kryebashkiak. Për më tepër, duke pasur parasysh se Rama e ka humbur interesin për Tiranën dhe, më anë tjetër, ka detyrimin për t’u marrë me të, po ashtu faktin se PD i kontrollon shtatë minibashki dhe Këshillin Bashkiak, do të ishte shumë e lehtë që ai të lihej të gabonte e të dëmtonte veten e partinë me duart e tija e të shkonte në zgjedhjet e 2013-s pa ndonjë bilanc e pa pretendime të besueshme se opozita e demokracia keqtrajtohen në Shqipëri. Kjo do të ishte një politikë edhe në interes të PD, edhe jo në kundërshtim me politikën si menaxhim i interesave të të gjithëve. Kurse duke iu marrë Bashkia me këto forma që vështirë se i beson kush se janë të pastra, procesi zgjedhor do të njolloset, do të bëhen të besueshme shumë nga akuzat e ngritura për 2009-n, politikat e opozitës do të mund të ndërtohen mbi një çështje mjaft të ndjeshme dhe përgjegjësitë për bllokimin e vendit nga konfliktualiteti politik do t’i mbeten kryesisht maxhorancës.

Pyetja që lind është: po a nuk i kanë shkuar ndërmend këto Sali Berishës, apo nuk ka pasur këshilltarë që t’ia çojnë në vesh? Unë besoj se po. Po pse ka mbizotëruar një gjykim tjetër politik, atëherë? Për mendimin tim, thjesht sepse politika në Shqipëri është bërë e po bëhet gjithnjë e më shumë luftë për kontroll të territorit e të përfitimeve financiare ndërmjet grupeve të interesit që komandojnë të dyja partitë, që kanë ardhur duke u ashpërsuar në një kohë krize ekonomike e që, në më të shpeshtën, janë në kundërshtim me politikën si menaxhim të interesit të të gjithëve. Sipas kësaj politike të keqe, t’i lije Tiranën në dorë Edi Ramës do të thotë t’i lije në dorë mundësi shumë më të mëdha frymëmarrjeje. Sipas kësaj politike, duke mos pasur çelësin e Bashkisë në xhepin e djathtë, atij do t’i bjerë shumë më pak telefoni celular në xhepin e majtë, çka do të thotë, do të ketë më pak mbështetje të të fuqishmëve që kanë financuar partinë për interesat e tyre e që shpesh kanë komanduar edhe telefonat e gazetarëve që i kanë ndenjur gati Ramës. Një pjesë syresh tani mund edhe të falimentojnë, një pjesë do të trokasin në zyrën e Bashës. Pra, sipas këtij kalkulimi politik, humbjet që do të vijnë nga komprometimi i zgjedhjeve në sytë e publikut e të ndërkombëtarëve, apo nga bllokimi i Ramës në dy detyra, do të jenë më të vogla sesa fitimet që do të sjellë kjo rritje e kontrollit të territorit e të interesave nga ana e PD-së. Shtoi këtyre kalkulimeve edhe faktin se, tek e fundit, shumë nga këto interesa nuk duan të dinë për të ardhmen e vendit apo edhe të vetë PD-së në terma afatgjatë, pasi veprojnë siç është vepruar rëndom në ekonominë tonë, sipas formulës “më mirë një vezë sot, sesa një pulë mot”, dhe këshilltari i parë, rolin e të cilit mora unë në krye të këtij shkrimi, do të përqeshej si shumë naiv. Realiteti politik shqiptar, – do t’i thoshin atij këshilltarët e politikës së keqe, - është shumë i thjeshtë për ta sofistikuar me aq shumë variable e të panjohura.

Megjithatë, sipas meje, ka dy të panjohura që Berisha nuk i ka konsideruar seriozisht në zgjedhjen që ka bërë e që mund t’ia hedhin keq në erë kalkulimet sempliste. Këto lidhen të dyja me të njëjtën gjë: me pasojat që mund të sjellë ankthi për të siguruar pushtetin duke kontrolluar gjithçka. E para e panjohur lidhet me atë se si do të reagojë pjesa tjetër e popullsisë kur të shikojë se punësuesi më i madh, që mbetet shteti, kësaj here i kontrolluar edhe në kryeqytet nga demokratët, do të rrisë edhe më prirjen që e ka manifestuar tashmë për të punësuar vetëm njerëzit e vet, për të inkurajuar vetëm bizneset e lidhura me të, për ta përdorur edhe ligjin në mënyrë selektive, për ta bërë edhe korrupsionin të gjithin vetë. Qenia e Ramës në pushtet, qoftë me shpërndarjen që bënte në favor të të tijve, qoftë me namin e të korruptuarit që favorizonte të tijtë, ka qenë një mbrojtje jo e vogël për abuzimet e PD në pushtet e njëherësh për krijimin e imazhit të ekzistencës së hapësirave demokratike në vend. Vërtet që me kontrollin e rritur edhe më të mediave, që do të sjellë pashmangshëm kjo situatë, mund të zbutet perceptimi i krizës dhe ai i korrupsionit, por do të rritet edhe ai i pakënaqësive të lidhura se me gjendjen ekonomike, aq edhe me ngushtimin e hapësirave demokratike dhe kthimin e vendit në një regjim. Së dyti, kombinuar me të parën, sikurse thashë, kohët nuk duken të mira për sa i përket shëndetit të ekonomisë shqiptare. Në këtë kontekst duket se Kryeministri nuk ka nxjerrë një mësim të rëndësishëm nga ’97-a. Ai e di shumë mirë se në ‘97-n ra sepse ra ekonomia e ndërtuar mbi sistemin piramidal, kombinuar ky me ngushtimin e hapësirave demokratike që kishte krijuar në fillimvitet ‘90 rënia e komunizmit. Mësimi që duhet të kishte nxjerrë, sipas meje, është se në kohë krizash, përgjegjësitë duhen ndarë sa të jetë e mundur, e jo kërkimi i vendosjes së kontrollit mbi gjithçka, që do të thotë edhe marrje e të gjitha përgjegjësive. Pra, sikur pushtetet të kishin qenë më të balancuara në ‘97-n, edhe përgjegjësitë pë rsa u përket piramidave, do të kishin qenë më të balancuara, edhe agresiviteti i njerëzve nuk do të ishte përqendruar në një target të vetëm: Berishën dhe qeverinë e tij “Meksi”. Duke parë se zëri i politikave të urtësisë dhe largpamësisë edhe kësaj here po mbyten nga zëri i aventurizmit dhe i babëzisë së politikave të këqija, nuk mund të mos e mendosh se këtë mësim, që popullorçe i thonë, “filli këputet duke u holluar, zullumi duke u trashur”, Berisha e të tijtë, edhe në e paçin pas nxjerrë, duket sikur e kanë harruar.

Gazeta “Panorama”

KOMENTE