English

Mjekët britanikë: Sa ujë duhet pirë

Londër, 16 korrik 2011, NOA – Këshilla mjekësore se çdo njeri duhet të konsumojë 2 litra ujë apo lëngje në ditë për të mbajtur të hidratuar organizmin është rrëzuar nga një studim i fundit mjekësor britanik.

Sipas këtij studimi për të shmangur dehidratimin nuk është e domosdoshme të konsumohen 2 litra ujë në ditë.

Mjekët britanikë thonë se këshilla për të pirë të paktën 8 gota, apo dy litra ujë në ditë nuk është e saktë nga pikëpamja mjekësore.

Sipas studimit të publikuar në revistën mjekësore britanike “British Medical Journal” thuhet se sasia e konsumit të ujit apo të lëngjeve të tjera varet nga gjinia, pesha dhe aktiviteti ditor i çdo personi.

Sipas studimit një mashkull duhet të konsumojë rreth 3 litra ujë në ditë, ndërsa një femër jo më pak se 2.2 litra.

Ata që merren me sport apo me aktivitete të tjera fizike, këshillohet të konsumojnë ujë më shumë se normat e përcaktuara në bazë të gjinisë.

Personave që merren me sport nuk u këshillohet konsumimi i pijeve energjike, që përmbajnë më shumë se 38 g sheqer, për shkak se pijet energjike shtojnë etjen dhe për pasojë të dehidratojnë.

Mjekët britanikë këshillojnë të pihen lëngje natyrale që përmbajnë vitaminë C.

Ndërsa atyre që nuk merren me aktivitet fizik u këshillohet të mos konsumojnë ujë mbi normat e përcaktuara sipas gjinisë.

Konsumimi i më shumë ujë se normat mjekësore çojnë në mbihidratim.

Sipas mjekëve mbihidratimi është një ndër shkaktarët kryesore të Hiponatremisë, që shoqërohet me simptoma të tilla si konfuzioni, dhimbja e kokës, spazmat muskulore, lodhja, e në rastet më të rënda infarkte, gjendje kome madje edhe vdekje.

mit/NOA

KOMENTE