Uashington, 16 korrik 2011, NOA – Takimi mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama dhe udhëheqësit të tibetianëve Dalai Lama ka krijuar tension të ri mes autoriteteve kineze në Pekin dhe SHBA-ve.
Siç mësohet nga mediat amerikane Presidenti amerikan priti sot në një takim privat në Shtëpinë e Bardhë Dalai Lamën.
Udhëheqësi tibetian u prit në një takim surprizë, thonë mediat amerikane, i cili u lajmërua befasisht vetëm dje, pasi lideri tibietian gjendej në Uashington qysh prej 6 korrikut.
Në vitin 2007 ish-presidenti amerikan George W. Bush ishte i pari president i SHBA-ve që i kushtoi udhëheqësit tibetian Dalai Lama një ceremoni publike në Kongresin Amerikan ku dhe e dekoroi me medaljen e artë të kongresit, vlerësimi më i lartë qytetar i parlamentit amerikan.
Ndërkohë sipas mediave raporti mes presidentit të tanishëm të SHBA-ve Barack Obama dhe Dalai Lamës është një raport me kontraste.
Kjo për shkak se në vitin 2009, kur udhëheqësi tibetian vizitoi Uashingtonin, presidenti Obama u kritikua ashpër pasi u shënjua si presidenti i parë amerikan prej vitit 1991, i cili nuk e ftoi për vizitë në Shtëpinë e Bardhë, Dalai Lamën.
Por, pas kësaj, dy fituesit e çmimit Nobel për Paqen u takuan zyrtarisht në 18 shkurt të vitit të shkuar.
Por, edhe pas këtij takimi presidenti amerikan u kritikua rëndë nga disa deputetë të kongresit amerikan, pasi panë në një foto, Dalai Lamën të dilte nga një portë anësore e Shtëpisë së Bardhë, e rrethuar nga re tymi dhe thasë me hedhurina.
mit/NOA