English

Patozi i shkruan Ruçit: Bashkëpunoni, votojmë çdo amendim tuajin për zgjedhjet

Tiranë, 16 korrik 2011 NOA/ Albana Qehajaj – Një ditë pasi Kolegji Zgjedhor vulosi fundin e odisesë së zgjedhjeve te 8 Majit, Partia Demokratike i kërkon publikisht socialistëve të bashkëpunojnë në interes të të ardhmes së vendit. Në një letër drejtuar kryetarit të grupit kuvendor socialist Garmoz Ruçi, kryetari i grupit kuvendor të PD-së, Atrit Patozi deklaron se ka ardhur koha për të nisur një proces bashkëpunimi.

“Tani që Zgjedhjet Vendore të 8 majit përfunduan, është koha që të mendojmë dhe të nisim një proces të gjerë bashkëpunimi, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2013 dhe të interesit më të mirë të vendit.

Siç të gjithë e dimë, Kodi ynë Zgjedhor është konsensual dhe bashkëkohor, i cili, edhe sipas ekspertizës së OSBE/ODHIR-it, garanton zgjedhje të standarteve demokratike. Por megjithatë, në raportin përfundimtar për Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 2009, OSBE/ODHIR-i bëri një seri rekomandimesh, të cilat kishin për qëllim përmirësimin e procesit zgjedhorNe kemi bindjen që më shumë se gjysma e këtyre rekomandimeve, të cilat nuk kërkonin ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, u zgjidhën me vendime dhe masa administrative të KQZ-së dhe institucioneve të tjera”, deklaron mes të tjerash Patozi në letrën e tij.

Ai vijon më tej duke nënvizuar se rekomandimi i parë, i cili është dhe më kryesori, pasi ka të bëjë me vullnetin e forcave politike për zbatimin me korrektesë të ligjit zgjedhor, ishte objekt i shqyrtimit të përbashkët në tryezën e marsit të vitit 2011. Në atë kohë, me propozim të të dy palëve, dhe në prani dhe asistencë të Prezencës së OSBE-së, u përgatit teksti i një marrëveshjeje shumë serioze për zbatimin e këtij rekomandimi, i cili pret shqyrtimin dhe miratimin përfundimtar prej nesh.

“Disa rekomandime të raportit të OSBE/ODHIR-it për Zgjedhjet e Vitit 2009, dhe ndoshta edhe rekomandime të reja të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për Zgjedhjet e 8 majit 2011, presin bashkëpunimin tonë për të arritur standarte më të larta në proceset e ardhshme zgjedhore.

Me anë të kësaj letre, dua që, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, t’ju ftoj Ju zoti kryetar, që të nisim sa më shpejt punën e përbashkët për reformën zgjedhore, pasi kjo përbën edhe një nga kërkesat më të rendësishme për avancimin e procesit të integrimit 2011, si dhe një bazë të shëndoshë dhe solide në përgatitjen serioze të Zgjedhjeve të Përgjithshme të vitit 2013”, nënvizon Patozi, i cili propozon edhe një takim konkret mes palëve.

“Propozoj që me datë 15 korrik ose në një datë tjetër, që Ju mund të sugjeroni, të takohemi në selinë e Kuvendit të Shqipërisë dhe të nisim bisedimet për të ngritur Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore, të cilin do të ishte mirë ta miratonim dhe votonim brenda këtij sesioni.

Propozoj gjithashtu, që bashkëkryetarët e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, ose ne të dy, si drejtuesit e grupeve parlamentare të mazhorancës dhe opozitës, t’i drejtohemi me një letër OSBE/ODHIR-it dhe Komisionit të Venecias për t’i ftuar që të asistojnë komisionin me ekspertizën e tyre. Asistenca e tyre do të ishte kontribut shumë i cmuar në ndryshimet e mundshme të Kodit Zgjedhor, të nevojshme për adresimin e të gjitha rekomandimeve të raportit të OSBE/ODHIR-it për Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 2009, si dhe rekomandimet e raportit për Zgjedhjet Vendore 2011, që pritet të publikohet së shpejti”, i drejtohet Patozi homologut të tij socialist Gramoz Ruçi.

Patozi mbyll letrën e tij duke siguruar se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të votojë, pa asnjë hezitim, të gjitha amendamentet që do të paraqiten prej jush në Komisionin e Reformës Zgjedhore, me kushtin e vetëm që ato të kenë marrë më parë vlerësimin pozitiv të OSBE/ODHIR-it dhe Komisionit të Venecias.

a.q/NOA

KOMENTE