Les HintonLondër, 16 korrik 2011, NOA - Pak orë pas dorëheqjes së parevokueshme të Rebeca Brooks, perandoria mediatike e Robert Murdoch pëson një tjetër goditje.
Les Hinton, këshilltar drejtues i kompanisë Dow Jones & Co, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila boton gazetën Wall Street Journal ka deklaruar largimin e tij nga kompania News Corp, për shkak të skandalit të përgjimeve që ka përfshirë Britaninë e Madhe.
Hinton drejtonte gazetën News of the World në vitet 1995 -2007, periudhë në të cilën gazeta ka kryer përgjimet e telefonave të mijëra britanikëve.
“Ndoqa me keqardhje zhvillimet lidhur gazetën News of the World”, u shpreh Hinton duke deklaruar se nuk kishte dijeni për skandalin e përgjimeve.
Lidhur me largimin e Hinton ka reaguar menjëherë Robert Murdoch.
“Unë dhe Les kemi qenë bashkë në një udhëtim fantastik që zgjati për 52 vjet. Më vjen keq që këtij udhëtimi i ka ardhur fundi”, deklaroi Murdoch.
67-vjeçari Hinton ishte për më shumë se pesë dekada një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të manjatit britanik.
Ai mori në vitin 1995 drejtimin e kompanisë News International dhe më vonë erdhi në krye të “Dow Jones”, e cila publikon gazetën Wall Street Journal.
mit/NOA