Beograd, 16 korrik, NOA - Ultrasi serb, Ivan Bogdanov, i cili mbahet mend nga të gjithë për aktin e djegies së flamurit shqiptar gjatë ndeshjes Itali-Serbi në Xhenova, në 12 tetor 2010, ka kërkuar nga Gjykata e Lartë e Beogradit kthimin në shtëpi.
30-vjeçari i njohur si një nga tifozët kryesorë të ekipit serb “Ylli i Kuq”, që ushtroi akte rrugaçërie ndaj flamurit shqiptar, bëri dje një propozim në sallën e gjyqit nëpërmjet avokatit të tij për t’u transferuar nga burgu ku vuan dënimin, në mjediset e shtëpisë së tij.
Lajmi bëhet me dije nga mediat serbe, të cilat e kanë pohojnë se ai e ka kërkuar një masë të tillë, me justifikimin se është mbajtur në mjediset e paraburgimit padrejtësisht për dy muaj dhe prandaj, i ka ardhur koha që të kthehet në shtëpi.
"Ai është dënuar në Xhenova dhe e ka kryer dënimin e tij të burgut. Gjykata këtu në Beograd mund të vendosë gjithashtu se ai është ndaluar të marrë pjesë në ndeshjet e futbollit dhe se ai është nën obligimin për të raportuar në stacionin e policisë dy orë para fillimit të ndeshjes", tha avokati i tij, Govedarica.
Edhe pse Bogdanov është shumë i njohur për sjelljen e tij të dhunshme ndaj flamurit shqiptar, Govedarica shtoi se "nuk ka arsye për të patur frikë që ai do të përsërisë veprën për të cilën ka qenë i akuzuar”.
Ndërkaq, Prokuroria dhe Dhoma Gjyqësore e kanë refuzuar një propozim të tillë.
Rreth një duzinë tifozësh të ekipit “Ylli i Kuq", kanë dje të pranishëm në sallën e gjyqit, duke i dhënë mbështetje verbale Bogdanovit.
Si e dogji flamurin shqiptar Bogdanov
30-vjeçari serb, Ivan Bogdanov, lider i tifozëve të skuadrës së Ylli të Kuq, njihet për shkaktimin e trazirave gjatë ndeshjes Itali-Serbi në Xhenova, në 12 tetor 2010.
Për këtë incident i cili u dënua si nga autoritetet italiane, ashtu edhe ato shqiptare, u ekstradua në Serbi dhe u dënua me 3 vite burg. Në të njëjtën kohë, atij iu dha edhe masa për dëbim nga territori i Italisë dhe mos lejimi i hyrjes në vendet e Bashkimit Evropian për 5 vite. Gjatë trazirave në ndeshjen Itali-Serbi, u dogj flamuri i Shqipërisë në sytë e gjithë botës, akt ky që shkaktoi një reagim të madh qytetar. Ai dhe 3 tifozë të tjerë serbë u akuzuan për veprat: rezistencë të rëndë ndaj forcave të rendit dhe për dëmtime të rënda.
n.e/NOA