Athinë, 17 korrik 2011, NOA - Mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për daljen sa më shpejt të Greqisë nga kriza e ka shprehur Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton gjatë vizitës së saj në Athinë.
Kryediplomatja amerikane vlerësoi përpjekjet e qeverisë Papandreu për daljen nga kriza. “Jemi në krah të miqve dhe aleatëve tanë grekë”, theksoi Clinton në konferencën e parë për shtyp me ministrin e Jashtëm, Stavro Lambrinidi.
Sekretarja amerikane e Shtetit theksoi se masat e marra janë ato të duhurat dhe së shpejti do të japin rezultatet e tyre.
“Kam besim në forcën e popullit grek”, shtoi Clinton pas takimit me ministrin e Jashtëm grek, me të cilin nënshkroi dhe një marrëveshje për luftën kundër trafikut të antikave.
Më pas Sekretarja amerikane e Shtetit u takua edhe me kryeministrin Jorgos Papandreu dhe presidentin grek Karolios Papulias.
Edhe në këto takime Clinton theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për daljen e Greqisë nga kriza ekonomike duke ndarë të njëjtin optimizëm se ekonomia greke do ta rimarrë veten.
mit/NOA