Jeruzalem, 17 korrik 2011, NOA – Vala e madhe e të nxehtit që ka pllakosur në tërë Izraelin, ka bërë që një zjarr gjigant të përhapet në zonën e pyllëzuar të Jeruzalemit duke kërcënuar jo vetëm djegien plotësisht të pyllit, por duke kanosur edhe shtëpitë që gjenden në zonat aty pranë.
Nga frika e përhapjes së flakëve autoritetet izraelite kanë evakuuar personelin dhe vizitorët që gjendeshin në muzeun e Holokaustit “Yad Vashem”, gjithashtu edhe banorët e shtëpive të ngritura në zonën që ndodhet nën syrin e zjarrit.
Dhjetëra autopompa të makinave zjarrfikëse dhe tre avionë të posaçëm janë përdorur në operacionin për shuarjen e flakëve.
Deri më tani sipas të dhënave forcat zjarrfikëse nuk kanë mundur ta shuajnë dot zjarrin gjigant.
Verën e shkuar një tjetër zjarr i madh dogji gjysmën e një zone të pyllëzuar pranë qytetit të Haifa-s, duke shkaktuar edhe vdekjen e afro 40 rojesh burgu dhe agjentësh policie, në momentin kur flakët e zjarrit u përhapën me shpejtësi në një autobus ndërkohë që ai po linte zonën e burgut, nga e cila të parët që shpëtuan gjallë ishin të burgosurit.
Për të shuar flakët e zjarrit asokohe u desh ndërhyrja e disa avionëve zjarrfikës të dërguar nga vende të ndryshme.
Si rezultat i zjarrit dhe polemikave të ashpra që pasuan atë, trupa e forcave zjarrfikëse u riorganizua mbi një model të ri, që u shoqërua me një buxhet të rritur për modernizimin e automjeteve të zjarrfikëses duke përfshirë edhe një skuadër të avionëve zjarrfikës.
mit/NOA