English

Maqedoni, Qeveria e re votohet gjatë javës së ardhshme

Shkup, 17 korrik 2011, NOA- Parlamenti i Maqedonisë pritet që në fillim të javës së ardhshme të votojë Qeverinë e re të koalicionit midis VMRO-DPMNE dhe BDI.

Mandatari Nikolla Gruevski të premten dorëzoi pranë Parlamentit, propozimet për kabinetin qeveritar dhe programin e ri qeveritar, ndërsa sipas afateve kushtetuese, procesi i votimit duhet të zhvillohet brenda 15 ditëve nga dita e dorëzimit.

Burime pranë Parlamentit deklarojnë për agjencinë e lajmeve INA se kabineti i ri qeveritar do të votohet sa më shpejt, edhe atë që nga fillimi i javës së ardhshme, me qëllim të mos humbjes së kohës.

Në kabinetin e ri qeveritar prej 22 ministrave, vetëm gjashtë prej tyre janë kandidatë të rinj dhe që për herë të parë ulen në kolltukët e ministrave. Partia shqiptare BDI do të udhëheq me 5 ministri dhe dy poste zëvendëskryeministrore.

Pjesa më e madhe e ministrave i takojnë përbërjes së Qeverisë së kaluar. Figura të reja në detyrat e ministrave janë Nikolla Popovski – ministër i jashtëm, Valon Saraçini – ministër i Ekonomisë, Pançe Kralev – ministër i Arsimit, Blerim Bexheti – ministër i Drejtësisë, etj.

Programi qeveritar do të përbëhet nga platformat e VMRO-DPMNE dhe BDI. Partia shqiptare theksoi se në programin qeveritar janë përfshirë disa nga pikat kryesore të platformës së tyre politike në planin e përmbyllje së Marrëveshjes së Ohrit, realizimin e projekteve infrastrukturore, ekonomike, arsimore dhe sfera të tjera për shqiptarët në Maqedoni.

Pikat e përgjithshme të marrëveshjen kanë si prioritet integrimin e vendit në NATO dhe BE, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimeve, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, marrëdhëniet e mira ndëretnike, investime në arsim, shkencë dhe teknologji informatike.

(INA)/NOA

KOMENTE