Nga Edmond Tupja
Po, i dashur lexues i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të së dielës, po, po, pikërisht çorapet, por jo çdo lloj çorapesh! E kam fjalën vetëm për çorapet e palara, nga ato që njeriut i qëllon ndonjëherë t’i mbajë një javë në këmbë, ditë e natë, pa i larë këmbët asnjëherë! E keni parasysh (më saktë, para hundëve) kutërbimin e tyre? A e dinit se ky kutërbim i padurueshëm e paska një anë të dobishme? Jo, nuk e dinit? Po të kishit lundruar këto ditë në internet si unë, do të kishit mësuar – për habinë tuaj më të madhe – se një ekip shkencëtarësh afrikanë të fushës së mjekësisë sapo kanë zbuluar se malaria dhe sëmundje të tjera infektive të transmetuara te njeriu nga mushkonja-tigër, njëra nga speciet më të rrezikshme të mushkonjave afrikane, mund të luftohen më mirë e më lirë pikërisht falë përdorimit të çorapeve të palara, sidomos tani që në Afrikë rreth 800 000 vetë vdesin çdo vit si rrjedhojë e sëmundjeve në fjalë. Gjithsesi, kërkimet vazhdojnë me këmbëngulje në këtë drejtim dhe shpresat janë të mëdha – të paktën në Afrikë – se shumë jetë njerëzore do të shpëtohen në saje të këtij zbulimi.
Pa dyshim, në Shqipëri askush nuk vdes nga malaria, veç mos harrojmë që mushkonja-tigër është shfaqur e po shumohet edhe në disa vende europiane mesdhetare, si Franca, për shembull. Si pasojë e globalizimit, e lëvizjeve të lira të njerëzve e të mallrave, kjo mushkonjë, një ditë të bukur (më saktë, të shëmtuar) do të na vijë edhe neve për vizitë, çka duhet të mbahet parasysh nga strukturat shëndetësore të vendit. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se shqiptarët duhet të fillojnë të mos i lajnë këmbët dhe të koleksionojnë çorapet e tyre të palara në kuadrin e luftës së ardhshme kundër mushkonjës-tigër, por vigjilenca mbetet sidoqoftë një domosdoshmëri.
Domosdoshmëri mbetet kjo vigjilencë edhe në kuptimin e figurshëm për partitë politike në krizë sot për sot. I tillë është rasti, në mënyrë të veçantë, për Partinë Socialiste të Shqipërisë. Mushkonjat-tigër janë shfaqur tashmë në gjirin e saj: lamtumirë o shtrëngim kompakt i radhëve, lamtumirë o unitet i çeliktë mbarëpopullor rreth udhëheqjes me në krye shokun Enver Alia, Ramiz Hoxha apo Edip Ramazani, pak rëndësi ka. Por kjo udhëheqja, me sa duken bathët (bathët me “a”, dhe jo me “y”, siç pretendojnë gojët e liga), është e vendosur që të përdorë çdo mjet për t’i luftuar mushkonjat-tigër që, sipas saj, po sjellin përçarje në gjirin e partisë. Ndër mjetet më të efektshme në këtë drejtim, unë do t’i rekomandoja asaj çorapet e palara të ndonjërit prej personaliteteve më karizmatike të saj, ndoshta, pse jo, edhe të shokzotit apo zotshokut Edip Ramazani, mundësisht me numër këmbe të paktën rreth 45, të cilat çorape mund të shërbejnë edhe si maska kundërgaz me përdorim qoftë individual, qoftë kolektiv. Ky përdorim nuk do të thotë se këmbët po çohen t’i bien kokës, jo, aspak, përkundrazi: një veprim i tillë do t’i dëshmojë mbarë botës se udhëheqja e partisë në fjalë zbaton vijën e masave, se ajo, në çastet më të vështira, bëhet njësh e shkrihet me bazën militante e me popullin “opozitar” duke përqafuar e bërë të vetin edhe kutërbimin e çorapeve të palara. Jam i bindur që, sikur shkencëtarët afrikanë të kishin zbuluar se falë thithjes së gazrave të çliruara pas përvetësimit gastro-intestinal të fasuleve (sidomos të atyre pllaqi) mund të luftohen sëmundje të tilla si SIDA, Alzajmeri e Parkinsoni, partia e lartpërmendur, gjithmonë, përherë e vazhdimisht nën udhëheqjen e karizmatikut Edip Ramazani, do t’i kishte furnizuar bollshëm e falas mbarë efektivat e saj, nga baza në qendër, me fasule gjenetikisht të modifikuara, d.m.th. me rendiment fantastik në çlirimin e gazrave, çka mund të kontribuonte me shumë sukses në rigjetjen e unitetit të radhëve të saj të përçara si edhe në mbylljen e vrimës së ozonit (ndoshta edhe të ndonjë tjetre), vrimë përgjegjëse jo vetëm për tejngrohjen e planetit Tokë, por edhe për tejftohjen e besimit të shqiptarëve tek partia në fjalë dhe veçanërisht tek udhëheqësi i saj Edip Ramazani.
Gazeta “Panorama”. (Titulli orgjinal i shkrimit "Çorapet dhe mushkonjat")