English

Nga biçikletat në xhipa të zi

Nga Bardh Frangu

Kur qe kërkuar nga OSBE-ja deklarimi i pasurisë për garuesit në zgjedhjet e para, pata shkruar se ata nuk kanë çka deklarojnë pos biçikletave të tyre. Njerëzit udhëheqës të institucioneve paralele barteshin me vetura nga vullnetarë të ndryshëm. Bartja edhe unë të tillë me veturën time, ndërsa bëja punën e gazetarit dhe përcillja aktivitetet e tyre në terren. Por nuk u desh të kalonte shumë kohë dhe të tillët nga biçikletat të hipin në xhipa të zi, madje edhe të blinduar dhe të pajisur me alarme të ndryshme për ta çuar peshë çarshinë dhe mëhallën. Këto ishin shenjat e para se partitë politike po shndërroheshin në makina për prerjen e parave, model ky i njohur nga shtetet e rajonit që po kalonin tranzicionin nga një sistem në tjetrin.

Shumë shpejt institucionet u kapën nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Rritja e shkallës së korrupsionit rriti shkallën e varfërisë në masën që tashmë është alarmante.

Nuk është për t’u habitur përse zyrtarët e lartë publikë nuk e shohin këtë shkallë të varfërisë, sepse atyre nuk u bie të zgjohen herët dhe të shohin si njerëzit sillen rreth kontejnerëve të bërllokut për të gjetur gjë nga hedhurinat e atyre 40 për qind që kanë mundësinë të hedhin gjë të vlefshme. Për më keq, zyrtarët tanë edhe nuk u besojnë as statistikave. Madje shkojnë deri aty sa ironizojnë edhe me shkallën e lartë të korrupsionit duke kërkuar fakte dhe vetëm fakte, përkundër që ata vetë ecin me xhipat e tyre të zi nëpër korrupsion, teksa kalojnë nëpër rrugët e ngushtuara dhe të lyera me asfalt të sëmurë nga zgjeba!

Raporti i Lëvizjes “Fol” sipas të cilit 27 zyrtarë të lartë brenda 7 muajve kanë deklaruar pasuri shumë të ndryshme në dy institucionet e Kosovës (KQZ dhe AKK), nxjerr në pah një fenomen që ia vlen për t’u veçuar dhe për t’u debatuar.

Ndryshimi i deklaruar i këtyre zyrtarëve kap shumën rreth 6 milionë euro. Zyrtarët e lartë, që njëkohësisht janë emrat kryesorë të partive politike, janë fiks në proporcion me participimin e partive të tyre në pushtet. Në shifra janë kështu: 12 nga PDK-ja, 9 nga LDK-ja, 3 nga AAK-ja dhe 4 nga AKR-ja. Meqë këto parti kanë kaluar nëpër pushtet apo edhe aktualisht janë në të, kjo bën dëshminë më të mirë se partitë politike në Kosovë kanë ndërtuar infrastrukturën për zhvillimin e korrupsionit, nëpërmjet së cilës edhe funksionon pushteti. Në këtë mënyrë, në Kosovë partitë politike na paraqiten si tip ndërmarrjesh.

Të ndodhura në një zonë gri, ku as Agjensioni Kundër Korrupsion nuk mund të shohë gjë, partitë shërbejnë ekskluzivisht që liderët partiakë dhe aparatet e tyre të fitojnë sa më shumë para, në mënyrë që me to të masin forcën e pushtetit. Për më keq, ndërsa dihet se partitë politike, ndër të tjera, kanë detyrim edhe emancipimin e grupeve dhe qytetarëve që mbështesin ato, del që kjo logjikë e keqpërdorimit të pushtetit në dëm të shtetit të shtrihet në një rrjet shumë më të gjerë. Kështu xhipat e zi janë bërë shenjë dalluese jo vetëm për zyrtarët e lartë, por edhe për pronarët e bizneseve të lidhura me ta dhe të pjesëtarëve të kabineteve të këtyre zyrtarëve. Për më keq, meqë partive iu duhen mediat për ta përcjellë zërin e tyre prej megafoni deri tek qytetarët, mund të shohësh edhe jo pak gazetarë që bredhin me makina të tilla.

Të ndodhur në këtë zonë përfitimi, partitë politike kanë harruar obligimet e tyre kushtetuese, në të cilat bën pjesë edhe demokratizimi i brendshëm i tyre. Edhe PDK-ja, si në rastin e Vitisë, edhe LDK-ja, si në rastin e Gjakovës, edhe AAK-ja si në rastin e Rahovecit (të mos flasim për AKR-në) as që brengosen për menaxhimin e këtyre krizave të shfaqura nëpër degët e tyre, pa llogaritur këtu edhe problemet që kanë brenda në qendër. Sigurisht që fakti se partitë politike më shumë luftojnë për vota (siç e pamë edhe në zgjedhjet e fundit), nëpërmjet të cilave vijnë në pushtet, nuk është karakteristikë vetëm e partive tona, por një sjellje kaq të papërgjegjshme ndaj interesave të qytetarëve zor është ta gjesh edhe në rajon e më gjerë.

Për më keq, tash kur kemi një qeveri të dalë nga tipi i sistemit shumëpartiak (në mungesë të dy partive të mëdha që do të mund të realizonin rotacionin e pushtetit), i cili ka detyruar ndërtimin e koalicioneve joparimore, telashet do të jenë edhe më të mëdha. Zhurma e “Vetëvendosjes”, si e vetmja parti që nuk e ka shijuar pushtetin, do të jetë edhe më e madhe, sepse kjo lëvizje e kapur peng mes idealit dhe realitetit, karakteristikë kjo tipike për të majtët, nuk ka çfarë bën më shumë. Kështu, shumëçka do të mbetet në nivel zhurme e statistikash të papërfillshme, sikundër që papërfillshëm na kalojnë përreth edhe xhipat e zi.

NOA

KOMENTE