English

Presidenti Topi: Veprat e Krasniqit të gdhendura në kujtesën e shqiptarëve

Tiranë, 17 korrik 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi nëpërmjet një mesazhi ka ngushëlluar familjarët e shkrimtarit te shquar shqiptar, Sulejman Krasniqi. Mesazhi i kreut të shtetit vjen pasi shkrimtari Krasniqi u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 74 vjeçare. Presidenti Topi e cilëson ndarjen nga jeta të shkrimtarit si një humbje të madhe të letrave shqipe, madje theksoi se veprat atdhetare e Sulejman Krasniqit do të mbeten përherë te gdhendura me respekt e krenari në kujtesën e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë.

Mesazhi i plotë i Presidentit Topi: "Të nderuar familjarë të të ndjerit Sulejman Krasniqi, Me dhimbje mësova për lajmin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit me origjinë nga Kosova dhe njërës prej penave më të shquara të letërsisë sonë moderne, i cili me talentin e rrallë dhe krenarinë e paepur kombëtare la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe të katër dekadave të fundit! Më lejoni që t'ju shpreh ngushëllimet më të ndiera e të sinqerta! Në këto momente të vështira për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë, ndaj me ju jo vetëm hidhërimin, por edhe vlerësimin më të lartë për personalitetin e spikatur të Sulejmanit në fushën e letërsisë, për vlerat e jashtëzakonshme njerëzore si dhe për përpjekjet e angazhimin shumëvjeçar të tij në shërbim të ruajtjes e përçimit të vlerave historike kombëtare, të fitimit të lirisë së Kosovës dhe lartësimit të imazhit të kombit shqiptar. Duke ju gjendur shpirtërisht pranë në këto çaste të rënda, shpreh besimin se jeta dhe vepra atdhetare e Sulejman Krasniqit do të mbeten përherë të gdhendura me respekt e krenari në kujtesën e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!" - theksohet ne mesazhin e Kreut të Shtetit shqiptar. a.y/NOA

KOMENTE