E diel, 17 korrik 2011, NOA/Irma Toptani - Të martën në Bruksel do të mbahet Këshilli i 3-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim - Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Mësohet se drafti paraprak i përpiluar nga presidenca polake vlerëson zgjedhjet e zhvilluara në 8 Maj në Shqipëri, ndërsa bën thirrje që palët të ngrihen mbi interesat partiake si rruga e vetme për përmbushjen e 12 rekomandimeve të vendosura nga Bashkimi Europian.
Burime nga Brukseli bëjnë të ditur se Bashkimi Europian dhe presidenca polake janë të kënaqur që konfliktet dhe mosmarrëveshjet gjatë procesit elektoral u zgjidhën brenda kuadrit ligjor dhe atij kushtetues.
Ky qëndrim i Brukselit pritet të rivlerësohet të martën në Këshillin i 3-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim - Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Palës shqiptare pritet t’i rekomandohet vendosja sa më shpejt e një dialogu politik mes forcave politike dhe zbatimi i 12 rekomandimeve të Komisionit Europian.
Sipas zyrtarëve europianë ajo që mungon në Shqipëri është uniteti politik për integrimin europian të vendit, çka e bën më të vështirë ndihmën e Bashkimit Europian ndaj vendit tonë.
Siç përmendi edhe gjatë vizitës së tij në Tiranë në Mars të këtij viti, Stefan Fule, 12 rekomandimet e Opinionit të Komisionit Europian për Shqipërinë janë rruga e vetme dhe shumë e qartë për t’u afruar me Europën e Bashkuar.
Më poshtë ju kujtojmë 12 Rekomandimet e Komisionit Europian:
1. Të garantohet funksionimi i duhur i Parlamentit, mbi bazën e një dialogu politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm mes të gjitha partive politike.
2. Të miratohen ligjet e mbetura pezull që kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament.
3. Të emërohet Avokati i Popullit, dhe në Parlament të bëhet proces i rregullt dëgjimor dhe proces i rregullt votimi për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë.
4. Të bëhen ndryshimet në kuadrin ligjor për zgjedhjet, sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR.
5. Të garantohet mbajtja e zgjedhjeve në pajtim me standardet europiane e ndërkombëtare.
6. Të kryhen hapat thelbësorë të reformës në administratën publike, përfshi ndryshimet në ligjin për shërbimin civil dhe forcimin e Departamentit të Administratës Publike, me synim që të rritet profesionalizimi dhe depolitizimi i administratës publike, si edhe të forcohet qasja që emërimet dhe ngritjet në detyrë të bazohen në transparencë dhe merita.
7. Të forcohet shteti i së drejtës duke miratuar dhe zbatuar një strategji për reformën e gjyqësorit, e cila të garantojë pavarësinë, efiçencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve gjyqësore.
8. Të zbatohet me efektivitet Strategjia anti-korrupsion e qeverisë dhe plani i veprimit, si dhe të hiqen pengesat ndaj hetimeve, sidomos për hetimet e gjyqtarëve, ministrave dhe deputetëve; të krijohet një “track rekord” / historik solid me hetimet pro-aktive, ndjekjen dhe dënimin e çështjeve të korrupsionit në të gjitha nivelet.
9. Të forcohet lufta kundër krimit të organizuar, bazuar në vlerësimin e kërcënimeve dhe hetimeve pro-aktive, bashkëpunimin e rritur me partnerët rajonalë dhe të BE-së, dhe koordinimin e agjencive të zbatimit të ligjit. Të krijohet një “track rekord” solid në këtë fushë.
10. Të përgatitet, të miratohet dhe të zbatohet një strategji kombëtare dhe plani i veprimit për të drejtat e pronës, duke bërë konsultime të gjera me grupet e interesit dhe duke marrë parasysh praktikën gjyqësore të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Kjo nismë duhet të përfshijë proceset e kthimit, kompensimit dhe legalizimit të pronës.
11. Të bëhen hapa konkretë në forcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, sidomos të grave, fëmijëve dhe romëve, si dhe në zbatimin e efektshëm të politikave anti-diskriminim.
12. Të merren masa shtesë për të përmirësuar trajtimin e të ndaluarve në rajonet e policisë, në qendrat e paraburgimit dhe në burgje. Të forcohet ndjekja gjyqësore e çështjeve për keqtrajtim, si dhe të përmirësohet zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit në këtë drejtim.
mit/NOA