Tiranë, 17 korrik, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me anë të një mesazhi të bërë publik sot paradite, ka ngushëlluar familjarët e shkrimtarit të shquar shqiptar, Sulejman Krasniqi, i cili ndërroi jetë dje në Tiranë në moshën 74-vjeçare.
“Me dhimbje mësova për lajmin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit me origjinë nga Kosova dhe njërës prej penave më të shquara të letërsisë sonë moderne, i cili me talentin e rrallë dhe krenarinë e paepur kombëtare la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe të katër dekadave të fundit!”, shprehet Topi në mesazhin tij.
Ai shprehet se Krasniqi ishte personalitet i spikatur, i cili kountriboj për transmetimin e vlerave historike.
“Në këto momente të vështira për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë, ndaj me ju jo vetëm hidhërimin, por edhe vlerësimin më të lartë për personalitetin e spikatur të Sulejmanit në fushën e letërsisë, për vlerat e jashtëzakonshme njerëzore si dhe për përpjekjet e angazhimin shumëvjeçar të tij në shërbim të ruajtjes e përçimit të vlerave historike kombëtare, të fitimit të lirisë së Kosovës dhe lartësimit të imazhit të kombit shqiptar”, shprehet kreu i shtetit.
Më tej, Topi shton se “jeta dhe vepra atdhetare e Sulejman Krasniqit do të mbeten përherë të gdhendura me respekt e krenari në kujtesën e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë”.
a.k/NOA