E diel, 17 korrik 2011, NOA- Policia e Lezhës ka vënë në pranga tre persona të akuzuar për grabitjen e një argjendarie në qytetin e Mamurrasit.
Lidhur me këtë ngjarje janë arrestuar Vinçesk Piroli, 23 vjeç, me banim ne fshatin Zheje te rrethit Kurbin, Nikolin Mjershaj, 18 vjeç dhe Krisjan Shkëmbi, 19 vjeç, të dy këta të fundit me banim në Shkodër.
Burime zyrtare nga policia e Lezhës bëjnë me dije për agjencinë e lajmeve NOA se tre të rinjtë në bashkëpunim me njeri- tjetrin dyshohet se pesë ditë më parë kanë tentuar të vjedhin me armë një dyqan argjendarie në qytetin e Mamurrasit të rrethit Kurbin, në pronësi të shtetases me iniciale H. A, me banim po në qytetin e Mamurrasit.
Nga ana e policisë pas arrestimit të të rinjve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, autovetura e markës benz me targa “SH 0625 E”, që është përdorur nga të ndaluarit për tu larguar nga vendi i ngjarjes si dhe dy palë doreza, një bluzë e cila është përdorur si maskë nga autorët në momentin e kryerjes së veprës penale.
Lidhur me këtë rast Prokuroria e rrethit nisi hetimet për veprat penale të “Vjedhjes me armë, kryer ne bashkëpunim, e mbetur në tentative” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”.
a.y/NOA