Tiranë, 18 korrik 2011, NOA – Trojka e ambasadorëve të BE-së, SHBA-ve dhe OSBE-së në Shqipëri u prit sot në një takim nga kryeministri Sali Berisha.
Gjatë takimit ku merrnin pjesë Ambasadori i BE-së Ettore Sequi, Zv/Ambasadorja e SHBA-ve Debora Jones dhe Ambasadori i OSBE-së Eugen Wolfarth, kryeministri i falenderoi tre ambasadorët për ndihmën dhe kontributin që vendet dhe institucionet e tyre japin në mbështetje të Shqipërisë dhe të reformave të gjithanshme në vend.
Gjatë diskutimit mbi zhvillimet e fundit politike pas përfundimit të procesit zgjedhor të 8 majit, shefi i ekzekutivit u rikonfirmoi ambasadorëve vendosmërinë dhe vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për të qenë tërësisht e hapur dhe transparente në bashkëpunimin me opozitën për reformën elektorale dhe për të gjitha reformat në shërbim të integrimit dhe anëtarësimit në BE, të cilat kërkojnë konsensus të gjerë.
Këtu kryeministri Berisha ritheksoi se ftesa që iu dërgua opozitës nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi kërkonte bashkëpunimin me opozitën për reformën zgjedhore.
Shefi i qeverisë u tha ambasadorëve se pavarësisht përgjigjes negative nga ana e opozitës, qeveria dhe mazhoranca mbetet e hapur për një bashkëpunim me opozitën të bazuar në respekt të Kushtetutës dhe shtetit ligjor.
Trojka e ambasadorëve u takua edhe me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, por selia rozë nuk ka zbardhur ende detajet e diskutuara gjatë këtij takimi.
mit/NOA