Nga Alfred Çako
Këto ditë duket se me propozimet për rindryshimin e disa neneve të Kushtetutës, po hapet sipari i luftës për Presidentin e Republikës, vitin tjetër, më 2012. Siparin e hapi kreu aktual i opozitës, z. Rama, në një intervistë të dhënë në një televizion kombëtar. Me sa duket, z. Rama kërkon të rikthejë zgjedhjen e Presidentit në të gjitha raundet vetëm me 84 vota (‘bingo-84′) ose e shprehur ndryshe, zgjedhja e tij të jetë vetëm përmes rrugës konsensuale, midis pozitës dhe opozitës. Në përgjithësi, e tillë ka qenë zgjedhja e Presidentit mbas përfundimit të mandatit të z. Mejdani dhe aprovimit të Kushtetutës. Në radhë të parë, duhet parë se kush ka orekse sot për të qenë kandidaturë për President të Republikës? Duke parë se në postin e Presidentit shpeshherë janë thirrur si kandidatura figura jo shumë të njohura për publikun (por jo për ndërkombëtarët), pyetja jonë e fundit, në pamje të parë, nuk besoj se duket e pamend. Njëlloj ka ndodhur edhe në Kosovë me znj. A.Jahjaga. Por, le të vazhdojmë me Shqipërinë. Kandidatë të njëmendtë duket se janë: B.Topi, F.Nano, J.Topalli, K.Islami, N.Ceka etj. E thamë se tre faktorët që do të vendosin janë z. Berisha, z. Rama dhe ndërkombëtarët. Këta të fundit duket se përbëhen nga tre vektorë në Tiranë: 1)Aleanca Londër-Washington-jahudinjtë e Anti Defamation League; 2) Aleanca politike e Brukselit të krishterë, katoliko-protestant të çapërlyer midis grupit të ithtarëve të qenies së Europës Perëndimore si lokomotivë në Ballkan, dhe grupit të përmbaruesve të ekonomive të tyre, ku hyjnë kryesisht të antikrishterët ‘europianë’ apo thënë ndryshe bankierët e bosët e tregjeve financiare monetare europiane a të letrave me vlerë; 3) me një profil pak të ndryshëm me vektorin e dytë, hyn pjesërisht edhe Vatikani e ambasadat e vendeve posaçërisht katolike në Tiranë. Nga të gjithë këta faktorë, të interesuar duket se do të predominojë aleanca (1), e cila ka edhe aksionet kryesore në Aleancën Euroatlantike në Tiranë, ashtu si edhe në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni – zonat ku ka edhe shqiptarë. Në fakt, të gjithë ndërkombëtarët kishin qenë nun i ndryshimeve në Kushtetutë para tre viteve, nismë të cilën e kundërshtuan vetëm disa parti më të vogla parlamentare, me në krye LSI. Me këto ndryshime, ndërkombëtarët mendonin që të kontrollonin vetëm Kryeministrin dhe liderin e opozitës e nëpërmjet tyre të kishin një President fasadë e pa kompetenca. Por, duke llogaritur faktin që z. Berisha, sipas skenarit të parë të “Baldushkut”, duket se është njësh me Aleancën Euroatlantike dhe kundër z. Rama (A) Berisha & anglo-amerikanë – Anti Defamation League (ndikimi i kësaj të fundit është i fshehtë) dhe B) z. Rama (nëse nuk do të kemi ndonjë largim të shpejtë të tij nga kreu i PS për shkaqe të brendshme të saj). Nisur nga sa më sipër, atëherë mund të themi se nëse z. Berisha do të mbajë premtimin e ‘Baldushkut’ për ta lënë në fund të fundit zgjedhjen e Presidentit te numri magjik ‘bingo-71′, aq i dëshiruar nga znj. Topalli (gjë e cila i intereson nga këndvështrime të ndryshme jo vetëm znj. Topalli dhe të tre grupeve të ndërkombëtarëve, por edhe z. Basha dhe militantëve që shkojnë pas berihait në PD), atëherë Presidente zgjidhet ‘gruaja e hekurt e Veriut’; nëse me kalimin e kohës z. Berisha tërhiqet nga ky pozicion i ‘bingo-71′dhe gjoja thyhet nga oferta dhe presioni i rrugës së Ramës për ‘bingo- 84′, atëherë z. Berisha ka gjasa që e ka tradhtuar kauzën e euroatlantikasve duke e mikluar z. Rama dhe z. Nano fshehtazi për t’u bërë President ky i fundit. Në këtë rast, z. Berisha do të organizonte një qendër okulte antiperëndimore, duke u bërë palë me z. Rama nga joshja e bërë ndaj këtij të fundit për një ‘detantë’ dyvjeçare me ‘karamelen’ e mos goditjes së tij për t’u shporrur nga ana e “grupit të Nanos në PS” [gjë që i intereson, me sa duket, aleancës së parë (1)]. Nuk e dimë nëse z. Rama do të luajë blofin me propozimin e kandidaturës së z. Topi në raundin e parë të votimit të Presidentit dhe më pas të pranojë kompromisin për të propozuar në raundin e dytë a të tretë ose për ta pranuar (pas propozimit ndoshta nga LSI, si skemë ‘B’) kandidaturën e z. Nano për President, në një nga dy raundet e fundit; ky variant varet edhe nga z. Meta. Edhe pse z. Rama është i zhgënjyer nga ‘puppet strings-i’ i z.Arvizu te Pallati i Brigadave, ndoshta figura e z. Topi mund të ripropozohej, siç e thamë, nga PS në raundin e parë, sa për të shkuar radhën. Kësisoj, duke vazhduar sipas këtij skenari të dytë hipotetik - me aprovimin nga z. Berisha të propozimit të z. Rama për ‘bingo-84′, gjatë tre raundeve të para mund të rrëzohej pas z. Topi edhe znj. Topalli (e mbështetur me përdëllim edhe nga Nunci Apostolik dhe Vatikani), por edhe ndonjë kandidaturë tjetër. Por, në fund do të votohej z. Nano, nga logjika e numrit ‘bingo-84′ dhe figura e ‘vetme’ konsensuale PD-PS. Kandidatura me një background antiperëndimor e z. Nano mund të ishte, përveç të tjerave, edhe një emër që mund t’i shkonte për shtat djalit plangprishës të PS, E. Ramës. Me këtë kandidaturë, ai do të vriste disa zogj. Së pari, ua jepte si një qershi të hidhur ndërkombëtarëve mbi tortën e Presidentit; së dyti, me emrin e tij bashkonte radhët e PS; së treti, z. Nano mund të bëhej nukli i një bashkimi të mundshëm i të gjithë së majtës më 2013. Por, Berisha do t’i bënte llogaritë e zgjedhjes së Nanos ndryshe, në përfitim të qenies së tij si Kryeministër edhe një mandat 2013-2017. Sidoqoftë, zgjedhja e z. Nano si President do ta vështirësonte shumë matricën politike në vend. Në fund të fundit, Nano nuk harron kollaj burgun dhe shkaktarët e tij, as origjinën e vet. Një gjë e tillë do të rrezikonte përçarjen e PD mbasi të largohej Berisha dhe z. Basha, idhulli blu i aleancës së parë të ndërkombëtarëve, do ta kishte më të vështirë të çante rrugën drejt fronëzimit të dytë, më të rëndësishëm se ai i kryebashkiakut, si kryetar i PD, duke pasur si gjyle ndër këmbë ambiciozen J.Topalli dhe klanin e saj të fortë verior brenda selisë blu. Por, gjithsesi, nëse do të zgjidhej Presidente sipas skenarit të parë znj. Topalli, kjo do t’i konvenonte përkohësisht të tre faktorëve determinues ndërkombëtarë mbi Tiranën e vogël politike, edhe pse këta faktorë kanë axhenda relativisht të ndryshme rajonale dhe projekte të ndryshme mbi të ardhmen institucionale të shqiptarëve në Ballkan. Por, me ndryshimin e vektorëve të brendshëm në Tiranë, hesapet midis ndërkombëtarëve për shqiptarët do të rihapeshin midis tre vektorëve ndërkombëtarë më 2017, kur të zgjidhej Presidenti tjetër i radhës. Por deri atëherë është shumë herët të flasim. Madje, për shumicën e analistëve dhe politikanëve të rëndomtë, herët duket se është të flasësh edhe për pranverën e vitit 2012. Deri atëherë, gjumë ariu! Por nuk është kështu për faktorët e qenësishëm të brendshëm e të jashtëm në Tiranë, të atyre që do të vendosin fatin e zgjedhjes së Presidentit të ri, faktorë të cilët kanë filluar të lëvizin, të projektojnë emrin e rrugët e zëvendësimit të z. Topi te Pallati i Brigadave.
Gazeta “Panorama”